Kuvendi i Kosovës ende nuk e ka thirrur seancën e re ku mandatari do të prezantojë kabinetin qeveritar dhe votimin për të.
19 nëntori është data e fundit që mandatari i dytë për kryeministër, Glauk Konjufca, duhet të prezantojë kabinetin e tij qeveritar para Kuvendit të Kosovës. Ndonëse kanë mbetur edhe pak ditë afat, VV-ja ende nuk e ka thirrur seancën e jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së re.
Deri me tani duket që as VV-ja dhe as partitë tjera nuk besojnë që mund të ketë qeveri “Konjufca 1”.
Kryetari në detyrë i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se e vetmja zgjidhje për vendin janë zgjedhjet.
Në një intervistë në “Rubikon”, pas dorëheqjes, ai ka thënë se askush nuk beson se në këtë mandat mund të ketë një qeveri të re.
“Data e vetme të mundshme, nëse këtë vazhdojnë me e ngre zhag afatin, sepse edhe kur ja ka dhënë presidentja, që unë mendoj që nuk është dashur me ia dhanë. Ka pasur dëshmi të mjaftueshme që agonia institucionale zgjatet se ata nuk munden me e bo qeverinë, sepse të gjithë ne ishin deklaruar zyrtarisht, si parti shqiptare po edhe disa prej komuniteteve, që nuk e votojmë”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka vlerësuar se kjo çështje nuk është dashur të zgjatet më shumë.
“Është dashur me na çu në zgjedhje menjëherë dhe tash kishim pas datën 7 dhe kish vazhdu procesi pa vonesa. Tash, nëse e ngrehin deri ditën e fundit afatin, më 19, zgjedhjet mund të jen më 21 ose më 28”, ka thënë Krasniqi.
As LDK-ja nuk beson se në këtë legjilsaturë mund të formohet një qeveri e re.
Deputeti i LDK-së, Paris Guri, ka bërë me dije se VV-ja nuk i ka votat e nevojshme për krijimin e qeverisë së re.
Sipas tij, Kurti e ka propozuar Konjufcën për mandatar të dytë vetëm për të blerë kohë.
“Mandatimi i Glauk Konjufcës ka ardhur si rezultat i tentimit për të blerë kohë dhe për ta ndryshuar datën e zgjedhjeve dhe asnjëherë s’ka ardhur si rezultat i gjetjes së ndonjë zgjidhje, për arsye se ne e kemi parë që edhe ditën kur është mandatuar z. Konjufca, ai para mediave ka deklaruar se nuk është i gatshëm për të ofruar ndonjë marrëveshje bashkëpunimi ose koalicion për partitë e tjera”, ka vlerësuar Guri.
Deri me tani duket se vetëm presidentja Vjosa Osmani beson se mund të ketë qeveri “Konjufca 1”.
Më 4 nëntor, Osmani e ka dekretuar si mandat të dytë për kryeministër deputetin Glauk Konjufca.
Ndonëse në takimet paraprake partitë tjera kishin kërkua nga presidentja e vendit shpalljen e zgjedhje, ajo kishte vendosur të ia bëntë një “favor” VV-së.
Ajo kishte vlerësuar se në përputhje me nenin 95, paragrafin 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e ka mandatuar z. Glauk Konjufca, mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës.













