Auditori në raportin e Auditimit për vitin 2023 të komunës së Vushtrrisë ka gjetur disa shkelje, njëra nga të cilat është edhe projekti për rregullimin e lumit Sitnica i cili vazhdon të jetë në gjendje aspak të mirë ani pse kompania që kreu punimet tashmë është paguar, raporton Gazeta Online Veriu.info.
Bëhet fjalë për projektin që kap vlerën e 100 mijë eurove.
Nacionale ka realizuar storie rreth kësaj situate ku sjellë pamje aspak të mira nga afër lumit Sitnica, ku qytetarët ankohen se ajo pjesë që parashihej të rregullohej tash kundërmon erë kanalizimi.
Sipas menaxherit të projektit Nexhat Merofci kompania ka kryer punën pasi është bërë edhe pranimi teknik, dhe se problemi i vetëm sipas tij ka qenë me kubëzat mostrat e të cilave janë dërguar për laborim në Bullgari.
Pamjet nga kjo pjesë ku parashihej me projekt rregullimi i shtratit dhe shëtitores flasin për një gjendje aspak të mirë.