Avokati i familjes së Liridona Ademajt, Leutrim Syla, ka reaguar pas vendimit të gjykatës për t’iu përgjigjur kërkesës së mbrojtjes për ekzaminimin psikiatrik të Naim Murselit, të dyshuarit kryesor për vrasjen e Ademajt, shkruan Mitropol.
Syla, përcjell RTV Dukagjini, e ka quajtur këtë veprim si keqpërdorim të procedurës ligjore me qëllim zvarritjen e rastit apo, sipas tij, tentum për ta shfajësuar të akuzuarin.
“Aprovimi i kërkesës së mbrojtjes nga ana e gjykatës është një hap procedural, i cili nuk konsiderojmë që është ndërmarrë në kundërshtim me ligjin. Megjithatë, mendojmë se ky është një keqpërdorim procedural për të zvarritur apo për të bishtnuar procedurën penale – diçka që ndodh zakonisht kur mbrojtja përpiqet ta shfajësojë të pandehurin apo të përdorë institucionet shëndetësore për të ndikuar në uljen e dënimit”, është deklaruar Syla.
Ai ka shtuar se në raste të ngjashme, sipas tij, ekzaminimet psikiatrike janë përdorur si tentim për arratisje të të akuzuarit.
“Ka shumë raste kur këto procedura janë keqpërdorur, por zakonisht pas ekzaminimeve psikiatrike konstatohet se i akuzuari nuk ka ndonjë çrregullim mendor. Në rastin konkret, duke qenë se Naim Murseli përballet me mundësinë e një dënimi me burgim të përjetshëm, kjo është ndoshta përpjekja e tij e fundit për të shfrytëzuar çdo mekanizëm ligjor për të lehtësuar pozitën e tij apo për të marrë një dënim më të ulët”, ka përfunduar avokati Syla./Mitropol/