Prokuroria Speciale e Kosovës, ka ngritur aktakuzë ndaj Faruk Mujkës dhe Hysen Muzliukajt për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndaj këtij veprimi të Prokurorisë Speciale ka reaguar avokati i Hysen Muzliukajt, Ahmet Tahiri, i cili ka thënë se kjo aktakuzë është turp për drejtësinë në Kosovë.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka konstatuar se në këtë rast mungon dyshimi i bazuar që klienti im ka kryer ndonjë vepër penale. Kjo është konfirmuar si nga Gjykata e Apelit, ashtu edhe nga Gjykata Supreme”, ka thënë avokati Tahiri.
Postimi i plotë i avokatit Ahmet Tahiri:
Ajo që ka ndodhur sot me aktakuzën e ngritur ne rastin e njohur si Mujka etj.. nga Prokuroria Speciale është turp për drejtësinë në Kosovë.
Klienti im Hysen Muzliukaj po akuzohet lidhur me një vendim të Kuvendit Komunal, i cili ka kaluar nëpër pesë filtra institucionalë: Drejtoria e Urbanizmit, Zyra e Kryetarit të Komunës, Kuvendi Komunal, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), Ministria e Financave.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake ka konstatuar se në këtë rast mungon dyshimi i bazuar që klienti im ka kryer ndonjë vepër penale. Kjo është konfirmuar si nga Gjykata e Apelit, ashtu edhe nga Gjykata Supreme.
Jam i bindur se epilogu i kësaj çështjeje do të jetë shpallja i pafajshëm e klientit tim.