Avokati i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që aprovoi kërkesën KO193/25 të parashtruar nga deputetët e Grupit Parlamentar të PDK-së, të cilën ai e kishte hartuar dhe dorëzuar si përfaqësues i autorizuar.
Në reagimin e tij në Facebook, Fetahu e cilësoi këtë vendim si një “kthesë vendimtare” në zgjidhjen e njërës prej krizave më të thella kushtetuese dhe parlamentare në historinë e vendit.
Ai tha se Gjykata ka shpallur të pavlefshëm “Komisionin për Votim të Fshehtë”, ka konstatuar shkelje të Kushtetutës nga Kryesuesi Avni Dehari, si dhe ka anuluar të gjitha seancat e Kuvendit të mbajtura nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata gjithashtu ka urdhëruar që të vazhdohet me zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit brenda 30 ditësh, duke përcaktuar se i njëjti kandidat mund të propozohet vetëm tre herë, si dhe ka detyruar të gjithë deputetët të jenë të pranishëm dhe të votojnë në mënyrë të hapur.
Fetahu tha se ishte i bindur për këtë epilog që në fillim dhe e quajti vendimin jo vetëm fitore juridike, por edhe rikthim në kushtetutshmëri dhe mbrojtje të rendit parlamentar.
“Kosova ka Kushtetutë. Ka rregull. Ka rend. Dhe ka rrugëdalje kur i mbesim besnikë frymës dhe vlerave të rendit kushtetues”, shkroi ai.