Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka reaguar ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, pas deklaratave të tij për mosvotimin e disa marrëveshjeve ndërkombëtare në Kuvendin e Kosovës
Ministri Murati fajsoi sot opozitën për moskalimin e marrëveshjeve, duke përmendur sidomos një marrëveshje me Bankën Botërore prej 90 milionë eurosh me kamatë zero për 12 vite.
“Njëra ndër marrëveshjet e mbetura pa votuar është edhe ajo me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që e veçanta e saj është kamata 0% për 12 vite, të cilën do ta lakmonte secili shtet i botës. Mirëpo opozita jonë ka vendosur të mos e votojë, e kësisoj t’i bëjë opozitë shtetit duke menduar që po e dëmton qeverinë.” – tha Murati.
Deputetja Bajrami iu përgjigj akuzave të Muratit duke e quajtur ministrin përgjegjës për dështimet ekonomike.
Ajo i kujtoi Muratit se është pikërisht ai që krenohet vazhdimisht me uljen e borxhit publik.
Reagimi i plotë:
Ministri i cili çdo ditë krenohet se e ka ulë borxhin publik, sot paska vajtu qysh opozita katër vjet nuk e ka lënë me hy në borxh.
Jo zotri, me 9 shkurt qytetarët kanë me të gjyku ty se ty t’i kanë dhanë 51%, ata të kanë votu me kry punë e jo me u anku se gjoja opozita të paska pengu.
A po të kujtohet vetja kur ke qënë në opozitë? A don me ta rikujtu me video?
Kësaj qeverie i ka ”pengu” Gjykata Kushtetuese, Prokuroria, Policia, i ka ”pengu” opozita, Parlamenti, i ”pengon” edhe ardhja e Viti te Ri.
Ministri i dështimeve ekonomike duhet të tregojë pse se ka bërë TVSH-në zero për miell, për vaj, për qumësht, për gjërat elementare?
Natyrisht se s’ka përgjigje për mashtrimet elektorale e tash po del dhe po e fajëson opozitën për dështimet 4-vjeçare.
Me ty minister, larg po me duket 9 shkurti!.