Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, tha se nuk ka “kurrfarë arsyeshmërie” për të pasur zgjedhje të reja nacionale.
E pyetur lidhur me propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje për t’i mbajtur zgjedhjet e reja parlamentare së bashku me zgjedhjet lokale, deputetja tha se kjo do të shkaktonte “probleme të mëdha”.
“Unë mendoj që ne veç sa e kemi kalu një proces të zgjedhjeve nacionale. Në fakt edhe si parti e kemi të njëjtin qëndrim: do të duhet të bëhet konstituimi i institucioneve të dalura nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Nuk kemi nevojë ta përsërisim një proces zgjedhor sepse nuk mund të priten as ndryshime të mëdha. Në ndërkohë, ne e dimë të gjithë procesin tejet të ndërlikuar dhe kohën që e ka marrë për numërim të votave nga ana e KQZ-së. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve në një periudhë të caktuar do të shkaktonte probleme të mëdha dhe ka shumë mundësi që zgjedhjet e tilla mandej edhe të mos pranohen nga ndonjë subjekt”, tha ajo.
Bajrami tha se LVV-ja po e kërkon këtë në pamundësi për të gjetur rrugën e bashkëpunimit me partitë tjera parlamentare.
“Nuk ka kurrfarë arsyeshmërie që në pamundësi ose në mungesë të vullnetit politik nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje për të gjetur rrugën e bashkëpunimit me partitë e tjera parlamentare, ta përsërisë edhe një herë procesin zgjedhor”, tha deputetja.