Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ka njoftuar besimtarët se muaji i madhëruar i Ramazanit përfundon ditën e enjte.
Në komunikatën e BIK-ut është treguar se falja e namazit të Bajramit bëhet në ora 06:18.
BIK ka njoftuar se faljes së namazit të Bajramit do t’i prijë kryeimami Vedat ef. Sahiti.
“Manifestimi qendror për festën e Fitër Bajramit në Republikën e Kosovës do të mbahet në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Programi fillon në orën 05:03 me faljen e namazit të sabahut, pas të cilit do të mbahet ligjërata tematike kushtuar kësaj feste nga kryeimami i KBI-së në Ferizaj, Ibrahim ef. Beqiri. Namazi i Fitër Bajramit falet në orën 06:18, të cilit do t’i prijë kryeimami i Bashkësisë Islame të Kosovës, Vedat ef. Sahiti”, është thënë në njoftimin e BIK-ut, duke dhënë edhe detaje tjera.
“Hytben e Fitër Bajramit do ta mbajë Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava, i cili do t’i drejtohet opinionit të gjerë me mesazhin e kësaj feste. Me rastin e festës së Fitër Bajramit, ditën e parë, më 20 mars 2026, Kryesia e BIK-ut, sipas traditës, organizon pritje urimi në selinë e saj nga ora 09:00 deri në orën 12:00. Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës ua uron festën e Fitër Bajramit të gjithë besimtarëve dhe opinionit të gjerë, duke e lutur Zotin që t’i ketë pranuar agjërimin, lutjet dhe ibadetet tona. Me fat festa e Fitër Bajramit!”, është thënë në njoftim.












