Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas moscertfikimit të Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Bajrami i tha VV-së se hajnitë, dështimet, tenderët njëburimorë, nepotizmin, hapjen e institucioneve dhe lidhjet me mafinë energjetike s’mund t’i mbulojnë me Serbinë, urat dhe as me Listën Serbe.
“Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë. Sot po i luani patriotët – hipokrita”, shkroi Bajrami.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e mbajtur sot mori vendim me 7 abstenime, dy vota kundër e dy për që të mos i certifikojë kandidatët e Listës Serbe për zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Reagimi i plotë:
Hajnitë,
dështimet,
tenderët njëburimorë,
nepotizmi,
kapja e institucioneve dhe
lidhjet me mafinë energjetike,
NUK mund t’i mbuloni me patriotizëm të rremë, as me Serbinë, as me urat që po i ndërtoni dhe as me Listën Serbe.
Ju jeni të njëjtit që Radojçiqit i keni krijuar korridor dhe ka ikur në pikë të ditës, nën vëzhgimin e kamerave, dhe nuk e keni shpallur Listën Serbe organizatë terroriste as pasi ata e kanë marrë përgjegjësinë për sulmin terrorist në Banjskë.
Sot po i luani patriotët – hipokrita!