Ish-i burgosuri politik Bajrush Xhemajli, i cili ka vuajtur në burgjet serbe mbi 14 vjet, ka martuar djalin Elirdin me Gëzonjetën, vajzën e ish-ushtarit të UÇK-së, kolonelit të Policisë së Kosovës, Emin Beqiri.
Në një atmosferë të këndshme familjare, me shokë të burgut, bashkëpartiakë, miq dhe dashamirë, në një restorant të Ferizajt, Bajrushi me bashkëshorten Shahadijen, bashkë me nënëloken Fatime e cila ka mbushur 89 vjet, me vëllezër dhe motra po prisnin mysafirë nga të gjitha viset shqiptare në gazmendin e tyre familjar.
Këtij gazmendi familjar hijeshi i dhanë edhe mysafirët e nderuar: lideri i shqiptarëve të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me bashkëshorte, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi e të gjithë anëtarët e kryesisë e deputetë; Vlora Çitaku, Enver Hoxhaj, Abelard Tahiri, Uran Ismaili, Hajredin Kuçi, Adem Grabovci, Elmi Reçica, Ferat Shala, Ramë Buja, Eliza Hoxha, Zenun Pajaziti, deputeti i LV-së, Hydajet Hyseni, ish-ambasadori Nait Hasani, ish-zv/ministri Hajredin Hyseni, bashkëveprimtar nga Lugina e Preshevës, si dhe gjenerali Kudusi Lama nga Shqipëria, shokë të burgut të Bajrushit me të cilët kishte kaluar nëpër kazamatet serbe e shumë të ftuar të tjerë.
Të ftuarit e të respektuarit nga familja patriotike Xhemajli, të cilët me babë e nënë, me djem e vajza, që të gjithë kanë qenë halë në sy për regjimin serb dhe që pothuajse të gjithë kanë kaluar nëpër burgjet serbe, ndiheshin të lumtur që ishin të pranishëm dhe bënin atmosferë me muzikë të bukur shqipe.