Kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, i ka dhënë tender mikut të tij. Agim Trolli u shpërblye me 180 mijë euro nga Komuna. Lidhur me këtë ka pasur ankesa edhe në Gjykatën e Tenderëve. Aty janë ngritur dyshime se gjatë procedurës së prokurimit ka pasur ndikime të paligjshme, kufizim të qasjes në dokumente dhe diskriminim.
Komuna që udhëhiqet nga Bali Muharremaj me 12.06. 2025, ka shpallur fituesin për tenderin “Rikonstruimi i kulmit te SH.M. Gjimnazi jeta e Re – Suharekë”.
Në njoftimin e publikuar në e-prokurim bëhet e ditur se tenderin e ka fituar Agim Trolli B.I, NBT-Ing.
Shume e kontratës është 178 mijë euro.
Lidhja e kryetarit Muharremaj me fituesin e tenderit?
Në tenderin “Rikonstruimi i kulmit te SH.M. Gjimnazi jeta e Re – Suharekë”, kishin konkurruar 5 konsorciume.
Ndërsa, Komuna e Suharekës përzgjodhi mikun e kryetarit Bali Muharremaj.
Agim Trolli, siç merr vesh Gazeta Insajderi është person i afërt me krytearin.
Ata kalojnë kohë së bashku dhe kanë një raport të mirë.
Insajderi ka siguruar edhe një foto, ku i pari i Suharekës shihet duke pirë kafe me fituesin e tenderit.
“Kafja e mëngjesit me kryetarin, ka lezet“, ka shkruar Trolli në postimin e publikuar në “Facebook”, në vitin 2022.
Ndërsa në një postimin tjetër ai i referohej Muharremajt si më i “miri”.
Insajderi, ka provuar të marrë një përgjigje nga Bali Muharremaj për raportin e tij me Agim Trollin, por që kryetari sugjeroj që përgjigje të kërkojmë nga zyra e prokurimit.
“Të gjitha procedurat e prokurimit dhe aktivitetet e tyre në mënyrë të pavarur udhëhiqen nga institucionin“, tha ai.
Ndërsa, nga zyra e prokurimit nuk kanë dhënë përgjigje fare lidhur me rastin. Njësoj, ka vepruar edhe fituesi i tenderit, Agim Trolli.
Ndaj përzgjedhjes se tij janë dorëzuar edhe ankesa në OSHP se komuna ka shkelur ligjin.
Pezullimi i tenderit dhe dyshimet ndaj Komunës së Suharekës
Në Organin Shqyrtues të Prokurimit, një kompani është ankuar se komuna ka bërë skelje të shumëfishta ligjore, të ligjit për prokurim në tenderin “Rikonstruimi i kulmit te SH.M. Gjimnazi jeta e Re”.
Aty thuhet se komuna ka bërë favorizime dhe ka diskriminuar kompaninë e tyre.
“Në këtë procedurë të prokurimit janë konsumuar shkelje të shumëfishta ligjore të ligjit për prokurim publik në fuqi, si rrjedhojë me veprimet diskriminuese ndaj kompanisë sonë, përkatësisht favorizuese për operatorin ekonomik të propozuar për dhënien e kontratës.
Arsyetimi dhënë ndaj kompanisë sonë në letër standarde të datës, 12.06.2025 dhe përmes formularit B58- Njoftim mbi Vendimin e Autoritetit Kontraktues, është tërësisht i pabazuar dhe jashtë kritereve të DT. Aplikimi i standaradeve të dyfishta në vlerësime e procedura përveç se zbehin profesionalizmin, thellojnë edhe diskriminimin mes OE pjesëmarrës, dikë duke e penalizuar dhe dikë duke e favorizuar, për arsye të përfitimeve të tjera dhe jo të atyre që promovon LPP”, thuhet aty.
Sipas ankesës janë shkelur disa ligje nga Komuna: Nenit 1 i LPP-së-Qëllimi, Neni 6 i LPP-së-Ekonomiciteti dhe efikasiteti, Neni 7 i LPP-së- Barazia në Trajtim/Jo- Diskriminimi, Ligjin për Qasje në Dokumente.
Aty ndër të tjera thuhet se komuna ka bërë vlerësim të anshëm.
“Ky është një vlerësim subjektiv nga ana AK- Komuna Suharekë, tregon për vlerësim subjektiv dhe jo objektiv dhe është në kundërshtim me LPP-në pasiqë nuk mund të argumentohet paanshmëria apo vlerësimin objektiv me një qasje të tillë. Nëse DUD sipas AK-se, nuk është vërjetur qartë atëherë dote duhej të kërkohej sqarim nga ne si OE e jo të vini në përfundime të tilla.
“Kjo qasje është plotësisht diskriminuese dhe në kundërshtim me LPP dhe rregullat në fuqi, ndërsa AK, nuk ka respektuar detyrimet për veprimet ashtu siç percakothet me nenin 39.8 të RrUOPP. Shkelja e këtyre rregullave nënkupton shkelje edhe të LPP-së, përkatësisht neni 72- Dokumentacioni dhe informacioni shtesë, në të cilin thuhet “Autoriteti kontraktues mund të ftojë operatorët ekonomik për të plotësuar apo të qartësojë certifikatat dhe dokumentet e paraqitura në pajtim me nenet 65-71 të këtij ligji”, shkruhet në ankesën e dorëzuar në Gjykatën e Tenderëve.
Pas, kësaj komuna është detyruar që ta pezullojë përkohësisht tenderin.