Në konferencën e parë për media, kryekuvendari i ri Dimal Basha doli për të mbajtur një fjalim. Ai s’pranoi pyetje nga gazetarët që shkuan për të përcjellë konferencën në Kuvendin e Kosovës e të cilët insistuan për të t’ia parashtruar pyetjet.
Në fakt, Basha thirri këtë konferncë për t’i sulmuar mediat e për t’i lidhur ato me Beogradin siç ka bërë për një kohë të gjatë si deputet.
Basha i bëri këto akuza ndaj mediave për shkak se ato publikuan një hulumtim të tij, të cilin e kishte në bashkautorësi, e në të cilin thuhej se UÇK-ja ishte financuar nga trafikantë të drogës dhe mafias shqiptare.
Ai mohoi se ka pasë rol në këta kapituj ku flitej për UÇK-në, ndërsa tha se pjesën të cilin e shkroi ai ishte për depërtimin e islamit fundamentalist në Kosovë.
“Për dy mandate kam bërë beteja të mjaftueshme në këtë Kuvend dhe jashtë tij dhe portalet e shumë të ashtuquajtur gazetarë nuk kanë ndaluar kurrë duke më ofenduar në mënyrë më të ulëta të mundshme, përfshirë këtu edhe duke përdorur burime nga gazetat e Beogradit për të më sulmuar mua. Kjo s’është sot. Të njëjtit e kanë bërë të njëjtën propagandë kundër zv/kryeministres Gërvalla me vite të tëra, vajzën e heroit”, tha Basha në këtë fjalim para gazetarëve.
Basha pretentoi se po sulmohet me “të pavërteta” nga caqe të caktuara dhe tha se po sulmohet sikurse ish-presidenti Ibrahim Rugova.
“Të njëjtit edhe presidentin historik Rugova dikur e quanin tradhtar. Po të njëjtit vazhdojnë me ofendime ndaj kryeministrit Kurti, duke e quajtur atë “njeri i Serbisë” dhe ju lutem mos harroni se i keni të njëjtat burime, të njëjtat qarqe që kanë lobuar edhe për ndarjen e Kosovës e të njëjtit e kanë krijuar edhe Listën Serbe, kanë lobuar për krijimin e Listës Serbe. Është shumë me rëndësi për qytetarët e Republikës me pa se nga vijnë këto sulme”.
Kryeparlamentari bëri thirrje që të votohet Nenad Rashiq për nënkryetar nga komuniteti serb, ndërsa përmendi edhe revoltën e bashkëpartiakut të tij, Liburn Aliu, i cili dha dorëheqje nga pozita e ministrit për shkak të zgjedhjes së Bashës kryeparlametar.