
Dimal Basha dy muaj më parë ishte epiqendër e kritikave të ashpra pasi emri i tij figuronte si bashkëautor në hulumtimin shkencor të Jana Arsovskas kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilën e lidhnin me botën e krimit.
Ai më vonë e ka hequr emrin si bashkëautor dhe ka insistuar se nuk e kishte lexuar hulumtimin, të cilin e kishin shkruar në vitin 2012 sa ishte student në New York.
Ndërkaq sot në vizitë te Basha ka qenë kryeministri në detyrë, Albin Kurti që i shkoi me një pikturë dhuratë.
Këtë pikturë e ka realizuar Rexhep Selimi, ish-udhëheqësi i UÇK-së dhe ish-deputeti i VV-së. Këtë pikturë ai e ka realizuar në Hagë, ku po mbahet bashkë me ish-udhëheqësit e tjerë të UÇK-së.
“Kryeministri Kurti kishte sjellë një dhuratë të çmuar, pikturën e titulluar “Pranvera Shqiptare”, punim ky nga Rexhep Selimi, i cili ndonëse po mbahet padrejtësisht në Hagë, është gjithmonë në mesin tonë me veprat e tij madhështore, qoftë në luftë, qoftë me punën e tij në Kuvend, qoftë në pikturë”, ka thënë Basha.