Bastisja e disave zyrave të Ministrisë së Bujqësisë nga hetuesit policorë, duket se e ka nervozuar shumë pushtetin. Kjo bastisje ka bërë që disa ministria ta shfrytëzojnë si pretekst për të sulmuar Prokurorinë e Shtetit.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, dhe ministri i Bujqësisë, Faton Pecili, e kanë kritikuar prokurorinë e shtetit se po merret me atë çka raportojnë media dhe jo me dosjet për korrupsion që i kanë dërguar në prokurori.
E para ka qenë më e ashpër me organet e rendit dhe të drejtësisë.
Një ditë pas bastisjes, në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se prokuroria po bën drejtësi selektive.
“Qindra dosje me dyshime për korrupsion e keqpërdorime të detyrës zyrtare janë dërguar në prokurori nga Qeveria jonë. Prokuroria asnjë veprim. Asnjë bastisje nëpër institucione pas atyre denoncimeve që i kemi bërë. Heshtje totale. Por mjafton një lajm diku në portale, e menjëherë vrapohet me bastisje në Ministri. Portale e gazeta ka pasur tash e sa kohë, por çështja është a kishte ato kohë Prokurori?!. Përgjigjen e dimë të gjithë”, ka shkruar ajo, duke shtuar se prokuroria po shumë gjera po hesht.
“Keqpërdorimet, abuzimet, e shkatërrimet e ndërmarrjeve publike sikurse edhe pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve të lartë ka ndodhur para syve të Prokurorisë. Drejtësia s’duhet të jetë selektive. Aq më pak spektakël”, ka shkruar Haxhiu.
Pak më i but ka qenë ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Fillimisht, ai ka dalë me një video në profilin e tij në “Facebook”, ku ka ironizuar
“Dua të falënderoj organet e rendit dhe të drejtësisë për efikasitetin e treguar mëngjesin e djeshëm. Një raportim spekulativ i mbrëmjes paraprake mjaftoj për t`i aktivizuar ata qysh në orën 8 të mëngjesit, ndërkohë për katër vite me radhë kemi dërguar qindra lëndë që deshmojnë korrupsion dhe dëme financiare që i është shkaktuar Republikës se Kosovës deri në 500 milionë ero, por nuk kemi par asnjë lëvizje nga ta. Me gjasë na e ka lënë ‘seen’.”, ka thënë ai.
Kurse, më pas ai ka folur edhe para gazetarëve për këtë çështje.
Ai ka sqaruar se nuk ka ekzistuar asnjë pozicion në dokumente, ku thuhet se është bërë bartje e mobilieve dhe se raportimi medial për këtë çështje është i pabazuar.
“Ne e përgëzojmë, e falënderojmë çdo aktivitet të mekanizmave të drejtësisë që vihet në funksion të zbardhjes të së vërtetës. Unë nuk merrem me specifika teknike. Ju e keni A deri në ZH shpjegimin se si ka shkuar e gjithë procedura, edhe mes tjerash, mua më kanë njoftuar pas raportimit medial që ka qenë, që krejt çka është raportuar në media ka qenë e pavërtetë, ka qenë shpifje, edhe është tendencë”, ka thënë ai.
Ai ka vlerësuar se drejtësia do ta jap fjalën e fundit për këtë rast.
“Të vërtetën ta thonë institucionet e drejtësisë, edhe akterët, të cilët janë intervistuar edhe që kanë përgjegjësinë ligjore dhe institucionale të merren me procedurën. Mua më kanë thënë që nuk ekziston pozicion, ku thuhet që është bartje e mobilieve, aq më tepër që në këtë raportim medial ekziston një video që është bërë te kati i objektit të Ministrisë së Bujqësisë që nuk ka qenë hiç pjesë e kontratës për të bërë renovimin në atë objekt. Është bërë video, është bërë shpifja se në katin, ku nuk është hiç pjesë e kontratës për çka pretendohet se ka mundur të ketë abuzim financiar”, ka thënë ministri Peci.
Dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shoqërim në polici
Hetuesit e Policisë së Kosovës dje kanë zbarkuar në ministrinë e Bujqësisë, e cila drejtohet nga Faton Peci. Pas disa orë bastisje, Bedri Dobra, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje është shoqëruar për në polici. Kurse prokuroria ka treguar arsyet e kësaj bastisje.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, ka bërë me dije se bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë kanë të bëjnë me rastin e renovimit në objektin ku ndodheshin zyrat e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Zëdhënësja e Prokurorisë Speciale, Liridona Kozmaqi, i ka thënë gazetës Nacionales se hetimet kanë nisur pas dyshimeve mbi veprimet e disa zyrtarëve të Ministrisë në lidhje me renovimet në këtë objekt.
“Ju informoj se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në mbështetje të nenit 83 par. 1 të Kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, me qëllim të verifikimit të pretendimeve apo dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë, ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes”, ka deklaruar ajo.
Prokuroria Speciale ka përmendur disa “zyrtarë publikë” të cilët dyshohen për tri vepra penale.
“Zyrtarët publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, nga neni 414, të KPRK-së; “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”, nga neni 415, të KPRK-së dhe “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, të KPRK-së”, ka thënë Kozmaqi për Nacionalen.
Pas prokurorisë, është lajmëruar edhe Bedri Dobra, zyrtar i Ministrisë së Bujqësisë nga Departamenti për Politika Bujqësore dhe Tregje.
Në një sqarim në profilin e tij në “Facebook”, ka vlerësuar se ndaj tij është bërë një padrejtësi e madhe.
“Sot ka ndodhur një padrejtësi e madhe. Nuk e di nëse ka qenë e qëllimshme apo jo, por ajo që di me siguri është se storja që është transmetuar në televizion është e pavërtetë. Falënderoj institucionet, të cilat gjatë marrjes së intervistës kanë qenë shumë korrekte me mua dhe kanë vepruar në përputhje me ligjin”, ka shkruar ai.
Dobra ka paralajmëruar se do të ndjek rrugët ligjore për padrejtësinë që i është bërë.
“Megjithatë, ky sulm ndaj meje dhe familjes sime nuk mund të kalojë pa përgjigje. Do të ndjekim rrugët ligjore për të adresuar këtë situatë, si për shqetësimin në familje, ashtu edhe për dëmtimin e imazhit tim personal, për të cilin kam punuar me vite të tëra. Pres nga të gjitha mediat dhe portalet që të kërkojnë falje dhe të paraqesin të vërtetën ashtu siç është. Falënderoj të gjithë miqtë dhe shokët për mbështetjen dhe shqetësimin e tyre. Ministria tashmë e ka demantuar lajmin e pavërtetë me fakte në faqen e saj zyrtare. Unë mbetem gjithmonë i gatshëm për bashkëpunim”, ka shkruar ai.