Presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa tha në një postim në X se vendimi i njëanshëm i Shteteve të Bashkuara për të hequr dorë nga sanksionet mbi eksportet e naftës ruse është shumë shqetësues sepse ndikon në sigurinë evropiane.
“Vendimi i njëanshëm i SHBA-së për të hequr sanksionet mbi eksportet e naftës ruse është shumë shqetësues, pasi ndikon në sigurinë evropiane. Rritja e presionit ekonomik mbi Rusinë është vendimtare që ajo të pranojë një negociatë serioze për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme. Dobësimi i sanksioneve rrit burimet ruse për të zhvilluar luftën e agresionit kundër Ukrainës”, shkruan Costa në X.
Shtetet e Bashkuara kanë autorizuar vendet të blejnë naftë dhe produkte nafte ruse që janë aktualisht të ngarkuara në anije në det, megjithëse këto mallra janë subjekt i sanksioneve. Masa synon të zbusë ndikimin ekonomik të luftës mes SHBA-së dhe Izraelit me Iranin në tregjet globale të energjisë.
Sekretari i Thesarit i SHBA-së, Scott Bessent, tha se bëhet fjalë për një masë të përkohshme për të “promovuar stabilitetin në tregjet globale të energjisë” gjatë konfliktit. Autorizimi do të jetë në fuqi deri më 11 prill.













