Reformat për centralizimin e sistemit gjyqësor, që hynë në fuqi këtë javë, kanë sjellë kritika nga gjyqtarë dhe prokurorë, të cilët i shohin ato si masa që forcojnë kontrollin e presidentit Alleksandar Vuçiq mbi pushtetin, dobësojnë luftën kundër krimit të organizuar dhe minojnë përpjekjet e Serbisë për t’u anëtarësuar në BE.
“Këto amendamente po gërryejnë besimin. Po bëhet gjithnjë e më e vështirë për ata në Bruksel që duan të avancojnë me Serbinë ta mbrojnë këtë qëndrim”, tha Kos në komente me email për “Reuters”.
Ajo tha se komisioni është duke rishikuar financimin për Serbinë në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, që synon përafrimin e rajonit me rregullat e BE-së dhe, në fund, anëtarësimin e vendeve si Serbia, e cila është përfituese e 1.6 miliard eurove në hua dhe grante nga ky program.
“Këto fonde kanë parakushte të lidhura me sundimin e ligjit”, tha Kos.
Reformat gjyqësore përfshijnë kufizimin e mandatit të kryeprokurorëve dhe dhënien e kompetencave më të mëdha për kryetarët e gjykatave ndaj gjyqtarëve, të cilët janë përgjegjës për administrimin e gjykatave. Kritikët frikësohen se këto ndryshime do të dëmtojnë pavarësinë e gjyqtarëve dhe do të rrezikojnë çështjet e korrupsionit të nivelit të lartë që trajtohen nga Prokuroria për Krimin e Organizuar.
Pas reagimeve, Serbia ka kërkuar opinionin e Komisionit të Venecias, panel i ekspertëve të së drejtës kushtetuese të Këshillit të Evropës, një organ për të drejtat e njeriut
“Sapo të jepet ai opinion, presim që këto ligje të rishikohen siç duhet dhe në mënyrë gjithëpërfshirëse”, tha Kos.














