Ndonëse kanë kaluar me shumë se dy muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve, partitë politike ende nuk kanë filluar zyrtarisht bisedimet për formimin e Qeverisë së re. Zyrtarët e partisë fituese Vetëvendosje thonë se po presin deri në certifikimin e rezultateve zgjedhore, duke mohuar zërat se mungesa e numrave mund të jetë arsyeja e kësaj zvarritje.
Deputeti i zgjedhur i PDK-së, Artan Behrami, akuzoi LVV-në për zvarritje të qëllimshme të krijimit të Qeverisë së re. Sipas tij, në mungesë të votave të nevojshme, LVV po mundohet që të blejë kohë.
‘’Zvarritja e krijimit të institucioneve nga LVV-ja i ka dy qëllime: së pari nuk i ka numrat për krijimin e Qeverisë kjo është strategji për të blerë kohë. Së dyti ai i frikësohet krijimit të Qeverisë meqë gjeopolitika ka ndryshuar shumë dhe ai i frikësohet presionit të madh Amerikan që mund të vijë sepse Kurti nuk është i gatshëm që të adresoj këto sfida gjeopolitike në të cilat gjendemi. Kosova është e izoluar, Kosova është nën sanksione të BE-së, Kosova ka një përkeqësim të marrëdhënieve me SHBA-të. Ai mundohet t’i ikë të gjitha këtyre sfidave duke krijuar drama të reja dhe duke kërkuar që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen njëjtë me zgjedhjet lokale’’.
Deputeti Behrami duke folur mbi mundësitë e bashkëpunimit me subjektet politike për krijimin e Qeverisë tha se PDK mbështet diskutimet për harmonizimin e programit me partitë që ishin deri tash në opozitë duke përjashtuar LVV-në për bashkëpunim.
‘’Ju i keni dëgjuar edhe deklaratat e kryetari të PDK-së Memli Krasniqi dhe kandidatit për kryeministër Bedri Hamza që ne kemi dallime shumë të mëdha ideologjike me LVV-në dhe nuk është asgjë që neve na lidh, prandaj orientimi i PDK-së është kah opozita. Tashmë komunikimi ka filluar e patëm një takim të zotit Hamza dhe Lumir Abdixhikur, besoj se ky komunikim do të vazhdoj. Jam në besim të plotë se mund ta krijojmë një Qeveri e cila përbëhet nga opozita, nga partitë politike që kanë një trashëgimi në çalimin e Kosovës mbi të gjitha në shtendërtimin e Kosovës’, tha Behrami për rtv21