Kandidati për deputet, Bekim Haxhiu-Kamishi, ka bërë të ditur se sot ka dorëzuar dy ankesa zyrtare në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), lidhur me rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) më 31 janar 2026.
Sipas tij, ankesat kanë të bëjnë, së pari, me përfshirjen e 23,323 pakove të fletëvotimeve me postë nga votimi jashtë Kosovës, të cilat janë pranuar pas afatit ligjor, në kundërshtim me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme. Ankesa e dytë lidhet me, siç thuhet, llogaritjen e gabuar të rezultatit përfundimtar, e cila ka ndikuar drejtpërdrejt në ndarjen e mandateve dhe renditjen e kandidatëve në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Haxhiu ka theksuar se afatet zgjedhore dhe barazia e votës nuk janë rekomandime, por garanci thelbësore për barazinë e votës dhe besueshmërinë e procesit zgjedhor. Ai ka shtuar se asnjë vendim administrativ i KQZ-së nuk mund të ndryshojë ligjin dhe Kushtetutën.
“Unë nuk kërkoj privilegj, por vetëm zbatim të barabartë të ligjit dhe Kushtetutës. Mbrojtja e votës së ligjshme është mbrojtje e demokracisë”, ka deklaruar Haxhiu.














