Avokati Besnik Berisha, i cili mbron njërin nga zyrtarët policorë, Endrit Beqirin, ka thënë se është herët të flitet për fajësi të dikujt.
Ai tha se viktima ka qenë i dhunshëm dhe se i pari që e ka telefonuar për ndihmë Policinë ka qenë prokurori.
“Është herët të flasim për fajësi apo pafajësi por ajo që dihet dhe duhet të thuhet tashmë, janë që veprimet e të ndjerit kanë qenë të dhunshme dhe me forcë të përdorur ndaj qytetarëve. Ka pasur denoncues vet prokuror e gjyqtarë. I pari që e ka telefonuar për ndihmë Policinë ka qenë prokurori. Nëse Prokuroria nuk i beson prokurorit atëherë kemi rënë nga sistemi, s’kemi problem me individ”, ka thënë Beqiri.
Ai ka thënë se ka dyshime që veprimet e të ndjerit kanë ardhur si pasojë e ndikimit nga substancat e marra.
“Zyrtarët policor kanë kryer punën e tyre, ata nuk janë as kardiolog, neurolog, pulmolog. Nuk janë dhe s’mund ta zëvendësojnë doktorin, unë besoj fuqishëm që s’do të jetë asfiksia si shkak (i vdekjes), por edhe nëse jetë duhet ta dimë se e shoqëruar apo jo me ndonjë gjakderdhje paraprake, është e ndikuar nga ndonjë substancë, anomali, problem me arteriet kardiake dhe jo vetëm”, ka thënë ai.
Ndërkohë ka përfunduar seanca dëgjimore në degën e Gjykatës Themelore të Prishtinës, në Lipjan, ndaj policëve të dyshuar për rastin e 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu.
Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorit të Shtetit, nëse do t’i çojë në paraburgim zyrtarët policorë, apo do të caktojë një masë alternative.
Ndryshe, pesë zyrtarët policorë ndodhen në masën e ndalimit për 48 orë.