
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur mirënjohje dhe respekt të thellë për dy nga mbështetësit më të mëdhenj të çështjes shqiptare në Shtetet e Bashkuara, Joe dhe Shirley DioGuardi, me rastin e ditëlindjeve të tyre të 85-të dhe 75-të.
Përmes një postimi Kurti vlerësoi rolin historik të ish-kongresistit Joe DioGuardi në fuqizimin e zërit të shqiptarëve në politikën amerikane, në një kohë kur çështja e Kosovës kishte pak vëmendje ndërkombëtare.
“Çdo shqiptaro-amerikan, pavarësisht pikëpamjeve apo përkatësive politike, e pranon se Joe DioGuardi luajti një rol qendror për zërin e shqiptarëve në politikën amerikane në një kohë vendimtare për Kosovën. Ai ishte personi që u hapi dyert e politikës amerikane shqiptarëve, kur jo shumë njerëz ishin të interesuar të dëgjonin për vuajtjet tona në ish-Jugosllavi”, ka shkruar Kurti.
Kurti theksoi gjithashtu kontributin e bashkëshortes së tij, Shirley DioGuardi, me të cilën Joe formoi një dyshe të fuqishme lobuese që ndikoi drejtpërdrejt në vendimet kyçe të administratave amerikane, nga Presidenti Clinton te Presidenti Bush.
Çifti DioGuardi mbështeti fuqishëm UÇK-në si një forcë çlirimtare dhe kontribuoi në përpjekjet diplomatike për të shmangur përsëritjen e gjenocidit të Bosnjës në Kosovë.
“Veprat e tyre janë shembulli i shkëlqyer se çfarë dy amerikanë, të udhëhequr nga ndërgjegjja dhe miqësia, mund të bëjnë për një popull që lufton për lirinë e tij,” shkroi Kurti në urimin e tij.
Me këtë rast, ai uroi çiftin për ditëlindjet e tyre, duke i falënderuar për mbështetjen e palëkundur që kanë treguar ndër dekada ndaj Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithësi.