Bixhozi i paligjshëm po vazhdon të zhvillohet në mënyrë shqetësuese në qytete të ndryshme të vendit, ndërsa rasti i fundit është regjistruar në Podujevë, ku policia ka zbuluar një lokal ku zhvilloheshin lojëra fati pa autorizim ligjor.
Ngjarja ka ndodhur më 22.11.2025 rreth orës 21:20 në rrugën “Sali Çitaku”, ku Stacioni Policor Podujevë ka pranuar informatën se në një lokal po zhvillohej veprimtari e kundërligjshme e bixhozit.
Njësitë policore kanë dalë në lokacion për verifikim dhe aty kanë hasur të dyshuarin Drilon Salihu në shoqëri të katër personave të tjerë, të cilët po merrnin pjesë në lojëra të jashtëligjshme.
Gjatë kontrollit, policia ka sekuestruar pajisje që shërbejnë për zhvillimin e lojërave të fatit, si dhe para të gatshme në vlerë prej 69.8 euro. I dyshuari ka pranuar se ishte duke zhvilluar veprimtari të bixhozit, ndërsa janë intervistuar edhe personat e tjerë të pranishëm.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, është iniciuar rasti për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.













