Ende pa u shënuar një javë nga përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme, tregu i derivateve në Kosovë ka pësuar një goditje të menjëhershme, duke reflektuar rritje të ndjeshme të çmimeve në pikat e karburantit. Megjithëse lufta në rajonin e Lindjes së Mesme është në ditët e para, në tregun tonë vërehen lëvizje që po konsiderohen të paarsyeshme nga konsumatorët.
Nga vëzhgimet në terren, janë konstatuar rritje drastike të çmimeve brenda një kohe shumë të shkurtër.
Një shembull konkret i kësaj “stuhie” çmimesh është vërejtur në njërën nga pikat e karburantit në kryeqytet. Brenda vetëm 48 orëve, çmimi i naftës pësoi tri lëvizje të njëpasnjëshme: nga 1.13 euro të dielën, në 1.25 euro të hënën, për të kulmuar në 1.35 euro të martën.
Këtë situatë e ka përshkruar me shqetësim një qytetar, i cili i është drejtuar adresës së Insajderit. Ai tregon se si u përpoq të “paraprinte” shtrenjtimin, por u përball me një realitet absurd.
“Sapo i pashë zhvillimet në lajme, thashë të shkoj ta mbush veturën plot, sepse e di që tek ne mezi presin të përfitojnë. Beso ose jo, të dielën e kam mbushur me 1.13 euro në pompën ku furnizohem zakonisht, të hënën çmimi shkoi në 1.25 euro, ndërsa të martën arriti në 1.35 euro”, tha ai për Insajderin teksa shtoi se rritje për 22 cent i duket absurde.
Në anën tjetër, një qytetar tjetër i cili tashmë ka dorëzuar ankesë zyrtare, ngre dyshime mbi këto çmime të fryer përnjëherë.
“Kjo ngritje e çmimit nuk është aspak normale. Dihet që rezervat aktuale i kanë blerë me çmime shumë më të lira para se të niste kriza. Është thjesht përfitim mbi kurrizin tonë dhe shpresojmë që shteti të marrë masa”, u shpreh ai.
Lidhur me këtë situatë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka bërë të ditur se tashmë kanë nisur procedurat e verifikimit. Deri më tani, Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut ka pranuar rreth 25 ankesa nga qytetarët, të cilat janë në proces të trajtimit.
“Në të gjitha rastet kur konstatohet se ka shkelje të vendimit për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave të tjera mbrojtëse, inspektorët e tregut do të marrin të gjitha masat siç parashihen me legjislacionin në fuqi,” thuhet në përgjigjen e MINT për Insajderin.
Institucioni shton se mbikëqyrja e tregut po bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Doganën e Kosovës, Administratën Tatimore dhe Autoritetin e Konkurrencës, për të parandaluar praktikat e padrejta tregtare dhe për të mbrojtur interesin e konsumatorëve.
Në vazhdën e këtyre zhvillimeve, Ministria ka nënshkruar dje (më 4 mars 2026) vendimin e ri për rregullimin e përkohshëm të çmimeve dhe caktimin e masave mbrojtëse për produktet e naftës.
Përmes këtij akti, parashihet një intensifikim i pranisë së inspektorëve në terren për të siguruar që çmimet të jenë në përputhje me rregullat dhe për të ndaluar spekulimet në emër të krizës ndërkombëtare.
MINT ka siguruar qytetarët se mbetet e përkushtuar në luftimin e informalitetit dhe eliminimin e çdo rritjeje artificiale të çmimeve që dëmton sigurinë ekonomike të vendit
Ditë më parë, Kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani, konfirmoi se zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme kanë reflektuar menjëherë në tregun ndërkombëtar, e rrjedhimisht edhe në atë vendas.
Sipas tij, vetëm të hënën çmimi i naftës u rrit nga 1.18 euro në 1.25 euro, ndërsa benzina shënoi rritje nga 1.17 euro në 1.24 euro për litër.













