Sot në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan është përuruar zyrtarisht fusha e re e tenisit, investim i përbashkët ndërmjet Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe Federatës së Tenisit të Kosovës.
Sipas Shërbimit Korrektues të Kosovës, ky është edhe një hap i rëndësishëm për zhvillimin e sportit dhe promovimin e rehabilitimit brenda sistemit korrektues.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, Kryetari i Federatës së Tenisit të Kosovës, Jeton Hadërgjonaj, reprezentuesi i Kosovës në tenis për meshkuj, Naim Shehu, si dhe Drejtori i Qendrës Korrektuese për Femra në Lipjan, Ylber Topalli.
Gjatë fjalës së tij, Dibrani vlerësoi rëndësinë e aktiviteteve të tilla brenda sistemit korrektues, duke theksuar se sporti është një mjet i fuqishëm për rehabilitim dhe ri-integrim të suksesshëm në shoqëri. Ai falënderoi Federatën e Tenisit për bashkëpunimin dhe përkushtimin e treguar.
“Ky investim synon përmirësimin e kushteve për aktivitete rekreative dhe sportive, si pjesë e programeve rehabilituese për të dënuarat. SHKK falënderon Federatën e Tenisit për bashkëpunimin dhe përkrahjen në realizimin e këtij projekti me rëndësi të veçantë për institucionin”, thuhet në njoftim./Reporteri.net