Drejtuesi i mediumit Nacionale, Berat Buzhala ka kërkuar hetime për deklaratën e drejtorit të televizionit në RTK, Rilind Gërvalla, i cili ka thënë se AKI-ja ia solli informatën për kinse lidhjet e dy mediumeve kosovare, Nacionale dhe Periskopi, me Serbinë.
Buzhala ka thënë se Gërvalla duhet të intervistohet sot dhe të pyetet rreth deklaratës së tij.
“Prokuroria duhet me intervistu sonte Rilind Gervallen, me e pyet kush jane dy agjentet e AKI-se qe i kane tregu atij qe Nacionale dhe Periskopi jane te shituna te Vuçiç dhe Radojciç”, ka thënë Buzhala.
Ai ka thënë se Gërvalla duhet të japë përgjegjësi për deklaratën, nëse ajo është e vërtetë apo e rrejshme.
“Nese Rilind Gervalla po ka rrejt, atehere kunder tij duhet me pase aktakuze, sepse ka bo shpifje teper te rrezikshme, duke i vu ne pozite te keqe komplet stafin e dy websajteve.
Nese ai nuk ka rrejt, le ti kallxon prokurorit kush jane ata qe e kane njoftu ate. Nese informatat i kane te sakta, atehere le te na arrestojne ne udheheqesve te websajteve, ose agjentet e AKI-se”, ka deklaruar Buzhala në një shkrim në rrjetin social Facebook.
“Qiky rast nuk GUXON me u mbylle keshtu. Heret ose vone dikush ka me hy ne burg”, ka shtuar ai.