Eugen Cakolli, nga KDI, përmes një postimi në Facebook ka theksuar se ish-ministrat që janë bërë deputetë në zgjedhjet e fundit s’janë larguar fizikisht nga objektet qeveritare, por as nga vendimmarrja ekzekutive.
Ai në postimin e tij, ka thënë se përderisa ngërçi në Kuvend po vazhdon me mos konstituimin e tij, bordet janë duke u mbushur me anëtarë, siç ka thënë ai, nga radhët e afërta të Vetëvendosjes.
Postimi:
Ish-ministrat që janë betuar si deputetë, jo vetëm që s’janë larguar fizikisht nga objektet qeveritare, por as nga vendimmarrja ekzekutive.
Ndërkohë që Kuvendi nuk po konstituohet, bordet po mbushen – kundërligjshëm dhe “normalisht” – nga anëtarë të përzgjedhur nga radhët e afërta të Vetëvendosjes.
Rasti i fundit qenka ai i Këshillit Drejtues të Teatrit Kombëtar. Por ky s’është vendim teknik, as urgjent, e as rutinë e një (ish)ministri. Është vazhdim i planifikuar i kontrollit politik mbi institucionet, përmes nënshkrimeve të momentit të fundit.
Pikërisht ajo për të cilën janë kritikuar të gjitha qeveritë e mëparshme.
Pushteti nuk po qeveris më, por po siguron terren për pas-qeverisjen. Dhe gjithçka bëhet mbi një logjikë të qartë, por të mbrapshtë: “Për sa kohë nuk të ndalon dikush, s’ka pse ndalesh vetë.”