Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka thënë se me vendimin e sotëm, Gjykata Kushtetuese po e ritranson me qartësi rrugën drejt funksionalitetit institicional.
Sipas Cakollit, Kushtetuesja qysh në vendimin e 26 qershorit kishte përcaktuar se votimi i fshehtë nuk pranohet në zgjedhjen e Kryeparlamentarit, por se për “për shkak të një interpretimi të qëllimshëm partiak” u detyrua ta artikulojë vendimin për të mos lënë hapësirë për “keqkuptime”.
“Përtej konstatimit se veprimet e Kryesuesit Avni Dehari ishin kundërkushtetuese dhe se seancat nga 27 qershori deri më 26 korrik janë të pavlefshme, thelbi i vendimit qëndron në rikthimin e procedurës në pikën ku u devijua. Tashmë, është obligim kushtetues që Kryesuesi të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës të seancës së 8 prillit dhe partia më e madhe të propozojë kandidatin për Kryetar Kuvendi. Ky kandidat mund të votohet vetëm tri herë – jo pafundësisht – çka shënon një ndarje të qartë me logjikën e kandidaturave të përsëritura që prodhojnë ngërç institucional”, ka shkruar Cakolli.
Sipas tij, vendosja e kufirit, që i njëjti kandidat nuk mund të votohet më shumë se tre herë, nuk është improvizim formal, por standard logjik dhe mekanizëm substancial i vetë sistemit parlamentar.
“Në thelb, ky është një sistem që e njeh legjitimitetin përmes shumicës dhe konsensusit, e jo imponimit të kandidaturave. Përmes këtij limitimi, Gjykata ka qartësuar se e drejta për të propozuar nuk është simbolike, dhe se kandidatura nuk mund të sillet pafund përpara deputetëve në mungesë të përkrahjes së domosdoshme. Kjo është një mënyrë për të kthyer kompromisin nga retorikë politike në instrument funksional të demokracisë parlamentare”, thotë Cakolli.
Ajo që ka mbetur pa u sqaruar plotësisht sipas Cakollit, është çështja e pasojave sa i përket afatit të caktuar”.
“Megjithatë, vendimi lë pas një çështje që meriton më shumë sqarim. Duke e rikthyer afatin 30-ditor në pikën zero, por pa përcaktuar qartë (të paktën bazuar në dispozitiv) pasojat në rast të ndonjë shkeljeje të re nga Kryesuesi apo në rast të dështimit të përsëritur për konstituim, krijohet një hapësirë e rrezikshme për vakum juridik. Pyetja e vetme që mbetet është: nëse edhe tani, në përpjekjen e radhës, ndodh një devijim i ngjashëm me atë të mëparshëm, a do të konsiderohet i konsumuar apo jo afati kushtetues? A do të duhej vendi të shkonte automatikisht në zgjedhje apo do të përsëritej e njëjta logjikë e anulimit të afatit?”, thuhet në postim.
Sipas tij, është e domosdoshme që Gjykata ta adresojë këtë boshllëk interpretues, për të ndërtuar një precedent të pakontestueshëm që garanton siguri kushtetuese dhe parandalon keqpërdorimin e afateve.
“Përfundimisht, me vendimin e fundit, Gjykata po e ndryshon drejtimin e praktikës dhe po e zëvendëson doktrinën e vitit 2014, me një praktikë më funksionale dhe në përputhje me frymën e Kushtetutës. Edhe nëse do të ketë sulme politike ndaj Gjykatës – siç ka tashmë, me deklarata nga eksponentë partiakë – ato nuk mund të fshehin faktin se standardi po konfigurohet drejt, e kjo i shërben sistemit, jo ndonjë partie në veçanti”, përfundon postimi i tij.