Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës nuk pret që sot të konstituohet Kuvendi i Kosovës. E kjo sipas tij për shkak të çështjes me dorëheqjet e ministrave dhe për shkak të numrave që Vetëvendosje nuk i ka për ta kaluar Raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve.
Sot nga ora 12:00 do të vazhdojë seanca konstituive e cila u ndërpre më 15 prill pasi opozitarët votuan kundër raportit me arsyetimin se anëtarët e qeverisë që janë zgjedhur deputetë nuk kanë paraqitur dorëheqjet.
“Mbi bazën e deklarimeve të partisë në pushtet dhe qëndrimit opozitar, nuk pres që as nesër të përmbyllet konstituimi i Kuvendit për dy arsye, njëra që është procedurale dhe tjetra politike. Gjatë ditës sotme nuk janë dorëzuar 15 dorëheqjet e ministrave, secila individualisht në administratën e Kuvendit, që nënkupton se nuk do ketë votim të raportit as nesër. Në aspektin politik duket që VV vazhdon të mos i ketë numrat për kalimin e raportit. Do tentohet të blihet kohë qoftë përmes insistimit se dorëheqja e kryeministrit në letrën që nuk ishte formalisht dorëheqje, të mbetet ajo që merret në konsideratë”, ka thënë Cakolli në “Interaktiv”.
Cakolli ka theksuar se votimi i raportit pa letra të dorëheqjes formale rrezikon që ta fusë vendin në krizë kushtetuese, nëse partitë opozitare pas votimit ndjekin rrugët kushtetuese për ta sfiduar kushtetutshmërinë.
“Kemi luftë fjalësh sepse kemi mungesë numrash. Në mungesë të numrave nuk besoj se do ketë lëshim pe, ndonëse formalisht e ligjërisht qëndrimi i Kurtit se nuk mund të bëjë më shumë se aq, është i paqëndrueshëm dhe i pasaktë. Mund të bëjë më shumë se kaq, nevojitet një letër e plotë e dorëheqjes të cilës i rrihet pas”, është shprehur ai.
Sipas Cakollit, mosvotimi i disa deputetëve të komuniteteve më 15 prill tregoi se ata kanë bërë kërkesa për marrëveshje politike.
“Fakti që disa deputetë të komuniteteve nuk votuan për ishte indikacion i qartë se ka një lloj kërkese për pazare apo marrëveshje politike se si do ndahet pushteti mes tyre”.
Cakolli ka shtuar më tej se ka gjasa që Kosova të futet në krizë institucionale.
“Ka gjasë që të futemi në krizë institucionale sepse ka mungesë të numrave, por me ekzistimin e modaliteteve, sidomos 48-orëshit, nëse ka interes të partive do ketë edhe involvim të Kushtetueses për ta zgjidhur ngërçin që mund të ndodhë, që të përcaktohet se si duhet të përmbyllet kjo çështja e konstituimit”.