Kryeministri Albin Kurti dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, do të takohen nesër për të diskutuar rreth çështjes së presidentit.
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, deklaroi të premten mbrëma në një emision televiziv se Abdixhiku do të takohet me Kurtin të hënën, por nuk tregoi kohën e mbajtjes së takimit.
Burime të Gazetës Online Reporteri.net brenda LDK-së kanë treguar se takimi mes Kurtit e Abdixhikut do të mbahet të hënën në ora 11:00 në Kuvendin e Kosovës.
Kreu i ekzekutivit tha të premten se nga e hëna do të nisë takimet me krerët e partive opozitare për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit.
Kujtojmë se të shtunën Vjosa Osmani përfundoi mandatin e presidentes, dhe ia dorëzoi mandatin ushtrueses së detyrës së presidentes kryetares të Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila ka të drejtë të mbajë këtë pozitë më së shumti gjashtë muaj.
Haxhiu pas marrjes së detyrës ka thënë se Kuvendi i Republikës së Kosovës do të vijojë procedurën kushtetuese për zgjedhjen e Presidentit të ri brenda afateve kushtetuese.
Kurse, Osmani pasi dorëzoi mandatin tha se shpreson që Kuvendi sa më parë të jetë e mundur do ta zgjedh presidentin e ri në mënyrë që të ketë stabilitet institucional, në një kohë kur bota po përballet me kriza të mëdha.
Kujtojmë se pas dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese me datën 25 mars, doli me një vendim ku u dha deputetëve edhe 34 ditë kohë për zgjedhjen e presidentit të ri














