Presidenti amerikan Trump dhe ai rus Putin telefonuan dy orë. Përveç marrëveshjes për ndërprerjen e përkohshme të bombardimeve të infrastrukturës, bisedimet sipas disa ekspertëve ishin kryesisht të pasuksesshme.
Ishte një telefonatë e pritur me shumë interes, veçanërisht në Ukrainë. Një bisedë nga e cila pritej të paktën më shumë paqe në këtë vend. Rezultatet, megjithatë, janë të pakta, sipas ekspertëve politikë që kanë analizuar për DW bisedën mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin.Në fund, u ra dakord që asnjë bombë të mos binte mbi termocentralet dhe rafineritë e naftës në Ukrainë dhe Rusi për tridhjetë ditë. E u arrit marrëveshje, që ishte një surprizë e madhe, që dy superfuqitë të luajnë prapë kundër njëra-tjetrës hokej mbi akull!
Kështu thuhet në njoftimin e Kremlinit. Aty thuhet se Trump propozoi një ndalesë tridhjetë-ditore të sulmeve ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës. Putin pranoi ta bënte këtë menjëherë dhe në këmbim kërkoi një fund të plotë të ndihmës ushtarake dhe në dhënien e informacioneve të inteligjencës në Ukrainë. Si një “parakusht thelbësor” për fillimin e një zgjidhjeje paqeje. Sa i përket marrëveshjes për armëpushim të prëgjtihshëm, nuk ka kurfarë dakordimi.
Normalizimi i marrëdhënieve?
Rezultatet e mëtejshme janë, sipas Kremlinit: Putin njoftoi një shkëmbim të ri të të burgosurve: 175 për 175 persona. Ukraina do të marrë 23 të plagosur të ushtrisë ukrainase. Shefi i Kremlinit përshëndeti dëshirën e Trump për të promovuar “qëllimin fisnik” për t’i dhënë fund luftës.
Të dy presidentët shprehën interes edhe për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe ruso-amerikane dhe diskutuan idetë për bashkëpunim ekonomik.
Më në fund – çuditërisht – Trump mbështeti idenë e Putinit për të organizuar një lojë hokej mbi akull midis yjeve rusë dhe amerikanë të NHL dhe KHL.
Biseda e gjatë
Politologu Anton Barbashin nga portali analitik “Riddle Russia” beson se është e qartë se biseda nuk solli asgjë konkrete. As vendimi i Rusisë për të mos bombarduar infrastrukturën e Ukrainës “nuk duhet marrë seriozisht”, tha ai për DW.
Barbashin kujton: “Arritja e vërtetë do të ishte një armëpushim i plotë, të paktën për këtë fliste pala amerikane, e me këtë është pajtuar edhe Ukraina. Tani shohim se ky qëllim është shtyrë për një kohë të pacaktuar.” Eksperti thotë se kjo marrëveshje për të mos sulmuar termocentralet është “simbolike e dialogut”, asgjë më shumë.
“Loja me Donald Trump”
Politologu i pavarur rus, Mikhail Komin, i cili jeton në Vjenë, thotë për DW se në rezultatet e bisedës telefonike sheh taktikat e negociatave të Putinit, të cilat ai i quan “loja me Donald Trump”.
Kjo taktikë përbëhet nga tre pika. Gjëja e parë është të luajmë së bashku dhe të pajtohemi me presidentin amerikan për kompromise të vogla dhe të parëndësishme. Ky kompromis është heqja dorë nga bombardimi i objekteve energjetike. Ashtu si Barbashin, edhe Komin beson se kjo nuk është “asgjë serioze”, veçanërisht pasi “sezoni i ngrohjes në Ukrainë pothuajse ka përfunduar”.
Pika tjetër e taktikës së Putinit, sipas Komin, është vonesa: “Për të blerë kohë, Putini po fut pengesa shtesë në negociata – kushte shtesë për vazhdimin e negociatave për armëpushim”. Eksperti, si shembull, përmend kufizimin e mobilizimit në Ukrainë dhe ndalimin e dërgesave të armëve amerikane.
Dhe së fundi, pika e tretë është një informacion i caktuar që thekson natyrën e veçantë të marrëdhënies midis Trump dhe Putinit. Supozohet se kjo ishte biseda më e gjatë mes presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë që nga viti 1991, që shihet si një sukses i veçantë, e ata ranë dakord që hokejistët rusë dhe amerikanë të luanin së bashku.
“Është një akt thjesht simbolik, me të cilin Putini duhet të tregojë se ai dhe Trump po zgjidhin çështje madhore të politikës botërore. Por ata nuk harrojnë të ushqejnë marrëdhëniet e tyre veçanërisht të mira”, përfundon Komin.
Praktikisht asgjë e re
Aleksandra Filipenko, një politologe që jeton në Vilnius të Lituanisë, flet po ashtu për natyrën e veçantë të marrëdhënies Putin-Trump. Në një intervistë për DW, ajo thotë se biseda ka zgjatur dy orë, por nuk ka sjellë ndonjë përparim. “Shkëmbimi i robërve të luftës dhe lirimi i ukrainasve të plagosur rëndë është një çështje e rëndësishme, por bisedimet nuk çuan në një armëpushim, të cilin shumë e prisnin.”
Donald Trump e sheh zgjidhjen e çështjes së Ukrainës në një mënyrë mjaft pragmatike. “Realisht Krimea, Donbasi dhe disa territore të tjera ukrainase janë të pushtuara. Trump e merr si të mirëqenë këtë dhe duket se nuk i bëjnë përshtypje kërkesat idealiste për kthimin e këtyre territoreve në Ukrainë. Presidenti amerikan tashmë i ka njohur territoret e okupuara ukrainase si ruse”, thotë Filipenko.
Megjithatë, ajo beson se lavdërimet dhe lajkat e Trumpit ndaj Putinit mund të mos përkthehen në vendime reale. Në fund, presidenti amerikan vlerësoi edhe presidentin kinez Xi Jinping.
“Qëndrimi i tij personal ndikon në marrëdhëniet e tij me politikanët e tjerë, por nuk duket se ndikon në procesin aktual të vendimmarrjes. Pavarësisht nga magjepsja e tij me udhëheqës të fortë, Trumpi mbetet i qetë kur bëhet fjalë për Vladimir Putin,” përfundon Filipenko.
Çfarë do të ndodhë tani? Për analistin politik Barbashin është e qartë: asgjë nuk do të ndryshojë në muajt e ardhshëm. Ushtria ruse do të sulmojë, ushtria ukrainase do të mbrohet.
“Topi është tani në fushën e partnerëve evropianë të Ukrainës. A do ta mbushin ata boshllëkun e lënë nga ushtria amerikane? A do të rrisin dërgesat e armëve?” Uashingtoni me shumë gjasa do t’u kërkojë evropianëve të frenojnë mbështetjen e Ukrainës. “Për Ukrainën kjo telefonatë nuk sjell asgjë të mirë,” përfundon eksperti. /DW