Veriu.info
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
Veriu

Çka fshihet pas akuzave të Osmanit kundër Listës Serbe, flasin analistët

10/09/2025 - 16:42
në Kryesore, Lajme
A A
Osmani në një linjë me LVV-në: Kuvendi s’mund të bllokohet për një nënkryetar, Kryesia ka kuorum
Shpërndaje në FacebookShpërndaje në Whatsapp

Deklaratën e presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Lista Serbe po përpiqet të bllokojë formimin e institucioneve të reja, analistët e interpretojnë kryesisht si një mesazh politik.

Qëllimi i saj, sipas tyre, është të tregojë pajtueshmëri me Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, në mënyrë që të sigurojë mbështetje edhe për një mandat tjetër presidencial, pas prillit të 2026-ës, kur i përfundon aktuali.

Sociologu nga Prishtina, Artan Muhaxhiri, thotë për Radion Evropa e Lirë se pa mbështetjen e Kurtit, Osmani “nuk ka asnjë shans” për mandatin e ardhshëm, dhe se deklaratat e saj të fundit duhet kuptuar në këtë kontekst politik.

“Qëndrimet e saj të fundit përkojnë kryesisht me ato të Kurtit – në lidhje me problemin me nënkryetarin e Kuvendit nga Lista Serbe dhe vendimin e pritur të Gjykatës Kushtetuese”, thotë Muhaxhiri.

Në anën tjetër, politologu nga Beogradi, Ognjen Gogiq, i cili ndjek nga afër zhvillimet në Kosovë, beson se Osmani mban përgjegjësi të madhe për krizën institucionale disamujore pas zgjedhjeve të shkurtit, sepse, siç thotë, nuk ka reaguar në kohën e duhur.

“Partitë shqiptare kishin një rol shumë më të madh [në konstituimin e Kuvendit]. Osmani kontribuoi në këtë situatë me mosveprimin e saj. Është Vetëvendosje ajo që tani po e bllokon formimin e institucioneve, sepse udhëhoqi votimin [për zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit]”, thotë Gogiq për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, u zgjodh në fund të gushtit, pas një krize politike disamujore, që pasoi zgjedhjet parlamentare të shkurtit.

Në ato zgjedhje, asnjë parti nuk mori mjaftueshëm vota për të formuar vetë institucionet e reja.

Tani, një krizë e re duket sërish në horizont, pasi Basha shpalli në mënyrë të njëanshme përfundimin e konstituimit të Kuvendit, edhe pse nënkryetari i pestë nga komuniteti serb nuk ishte zgjedhur.

Për këtë arsye, Lista Serbe iu drejtua Gjykatës Kushtetuese javën e kaluar.

Kjo parti – më e madhja e serbëve në Kosovë, që fitoi 9 nga 10 vendet e rezervuara për komunitetin serb në Kuvend – konsideron se Basha ka shkelur Kushtetutën, duke e ndarë votimin për nënkryetarët nga komunitetet joshumicë dhe ai serb.

Lëvizja Vetëvendosje i bëri thirrje Kushtetueses që ta shpallë të papranueshme kërkesën e Listës Serbe.

Edhe presidentja Osmani vlerësoi se Kuvendi nuk duhet të bllokohet për këtë çështje dhe pret që Gjykata Kushtetuese të mos vendosë në favor të Listës Serbe, por të konfirmojë se Kuvendi është konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit të pestë serb.

Përgjegjësinë për bllokimin e formimit të institucioneve të reja, Osmani e kaloi te Lista Serbe, ndërsa analisti politik, Muhaxhiri, beson se këtë e bëri “për të forcuar në mënyrë strategjike aleancën e saj me Kurtin dhe Vetëvendosjen”.

A ka Lista Serbe kapacitet për të bllokuar formimin e institucioneve?

Muhaxhiri beson se Lista Serbe është “një subjekt specifik politik në Kosovë, që formalisht dhe me Kushtetutë, ka fuqi të madhe politike në lidhje me proceset më të rëndësishme shtetërore”.

“Megjithatë, fuqia e saj autonome për të marrë vendime nuk ekziston, sepse është e varur nga një sërë faktorësh të ndërsjellë – vendorë, rajonalë dhe ndërkombëtarë”, shton Muhaxhiri.

Analistët thonë se e ardhmja e partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila ka mbështetjen e Beogradit, është e paqartë.

Ai thekson se Kushtetuta e Kosovës është e qartë për rolin e deputetëve serbë në proceset e formimit të institucioneve.

“Kjo është një pasqyrë direkte e parimeve themelore të Planit Ahtisaari [mbi bazën e të cilit është shpallur pavarësia e Kosovës]. Prandaj, nuk është realiste të thuhet se Lista Serbe mund të bllokojë formimin e institucioneve me vetiniciativë. Çdo përpjekje e tillë paradoksale vetëm do ta forconte atë”, thotë Muhaxhiri.

Sipas tij, vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës “mund ta shpërndajë gjithë mjegullën populiste që ka kapur hapësirën publike që nga zgjedhjet e 9 shkurtit”.

Reagimet e shoqërisë civile

Disa pjesëtarë të shoqërisë civile reaguan pas deklaratës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se Kuvendi i Kosovës nuk mund të bllokohet për faktin se nuk është zgjedhur një nënkryetar nga radhët e komunitetit serb dhe se Lista Serbe po përpiqet të bllokojë formimin e institucioneve të reja.

Agon Maliqi, i cili drejton organizatën joqeveritare Sbunker, tha se presidentja Osmani ishte “absolutisht nën nivelin e detyrës” gjatë krizës politike dhe institucionale, “duke e kthyer zyrën e unifikuesit të popullit në një mjet politik personal”.

“Nëse me këto manovra partizane mendon se mund të sigurojë mbështetje për mandat të dytë, i ka bërë vetes antireklamën më të madhe të mundshme”, shkroi Agon Maliqi në Facebook.

Publicisti Veton Surroi tha se komuniteti serb nuk e ka bllokuar, nuk ka vënë veto dhe nuk e ka penguar konstituimin e Kuvendit të Kosovës, por, me propozimet e tij për nënkryetarin, i ka dhënë shumicës mundësinë për të zgjedhur përbërjen e plotë të Kryesisë së Kuvendit.

“Shumica nuk e ka zgjedhur asnjë kandidat të propozuar nga dy subjektet politike, që përfaqësojnë komunitetin serb. Kështu ka penguar kompletimin e Kryesisë së Kuvendit dhe njëkohësisht përmbushjen e një të drejte kushtetuese të komunitetit serb”, shkroi Surroi në Facebook.

Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi reagoi gjithashtu.

“Letra e presidentes Osmani drejtuar Gjykatës Kushtetuese është një deklaratë e fuqishme politike. Fatkeqësisht me argumentim të dobët kushtetues dhe juridik”, shkroi Miftaraj në Facebook, duke shtuar se Gjykata Kushtetuese “nuk mund ta bazojë aktgjykimin në deklarata politike dhe udhëzime, pa ndonjë vlerë apo argument kushtetues dhe juridik”.

Gogiq thekson, gjithashtu, se Lista Serbe në këtë situatë nuk merr asnjë vendim dhe, në përputhje me rrethanat, nuk mund të bllokojë formimin e institucioneve të reja.

“Osmani nuk dëshiron të marrë përgjegjësi, ajo nuk do ta kritikojë Vetëvendosjen, ndaj është më e lehtë për të që ta fajësojë Listën Serbe. Nuk ishte vetëm Lista Serbe që u indinjua që nuk u zgjodh nënkryetari i pestë, por edhe opozita shqiptare. Ata thanë se do t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese nëse Osmani i jep mandatin [për formimin e Qeverisë së re] Kurtit”, thotë Gogiq.

Partia e dytë më e madhe në Kuvendin e Kosovës pas Lëvizjes Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës, beson se Basha nuk duhej ta kishte përfunduar seancën konstituive, sepse Kryesia e Kuvendit nuk u zgjodh në përbërje të plotë kushtetuese.

Lidhja Demokratike e Kosovës – partia e tretë më e madhe në Kuvend – tha gjithashtu se Kuvendi nuk është konstituuar ende dhe se ai nuk mund të funksionojë e as të marrë vendime, pa u përfunduar procesi i konstituimit në përputhje me ligjet dhe rregulloret.

Cila është zgjidhja?

Muhaxhiri thotë se për të dalë nga kriza aktuale, është e nevojshme që udhëheqësit e Kosovës të “gjejnë vizionin, guximin dhe forcën për t’iu rikthyer politikës normale dhe racionale”.

“Politika të mbështetet në patriotizmin kushtetues dhe të lidhet me vlerat kushtetuese dhe parimet demokratike. Mund të tingëllojë si klishe, por, në fakt, është mënyra e vetme për zhbllokim të menjëhershëm dhe për përparim afatgjatë shoqëror e institucional në Kosovë”, thotë Muhaxhiri.

Mendim të ngjashëm ndan edhe Gogiq.

“Zgjidhja është të tregohet pjekuri dhe përgjegjësi më e madhe. Kjo është e pashpjegueshme – ajo që ata bëjnë për muaj të tërë. Nuk ka zgjidhje kushtetuese-gjyqësore nëse keni një situatë ku deputetët nuk duan t’i formojnë institucionet. Kur shkruhen ligje, llogaritet që deputetët do të duan të marrin kontrollin e institucioneve, dhe këtu kemi një ikje nga përgjegjësia”, thotë Gogiq.

Më 7 shtator, Lëvizja Vetëvendosje emëroi udhëheqësin e saj, Albin Kurti, si mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Me atë rast, Kurti kritikoi Gjykatën Kushtetuese, duke thënë se ajo vepron në mënyrë të njëanshme, përkatësisht në favor të partive shqiptare, të cilat në përbërjen e kaluar parlamentare ishin në opozitë.

Gjykata Kushtetuese reagoi përmes një deklarate, ku tha se pavarësia dhe paanshmëria e saj mbrohen nga Kushtetuta dhe se asnjë institucion, parti politike apo individ nuk mund të ndërhyjë në punën e saj.

Kreu i Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë bëri thirrje për respektimin e pavarësisë së gjyqtarëve, ndërsa Ambasada gjermane në Kosovë u bëri thirrje aktorëve dhe institucioneve politike të respektojnë Gjykatën Kushtetuese dhe vendimet e saj, duke thënë se pavarësia e gjyqësorit është gurthemeli i sundimit të ligjit. /REL/

JU REKOMANDOJMË

Avokati i Muzliukajt: Ajo që ndodhi sot për drejtësinë, tri shkallë të gjykatave kanë konstatuar se mungon dyshimi i bazuar për klientin tim
Lajme

Avokati i Muzliukajt: Ajo që ndodhi sot për drejtësinë, tri shkallë të gjykatave kanë konstatuar se mungon dyshimi i bazuar për klientin tim

10/09/2025 - 19:38
Presidentja paguan për shkollimin fillor të fëmijve rreth 15 mijë euro në vit
Kryesore

Presidentja paguan për shkollimin fillor të fëmijve rreth 15 mijë euro në vit

10/09/2025 - 19:32
Haziri: Osmani ka premtuar se do të jetë gardiane e pakompromis e Kushtetutës, por ka qenë me “duar të lidhura”
Kryesore

Haziri: Osmani ka premtuar se do të jetë gardiane e pakompromis e Kushtetutës, por ka qenë me “duar të lidhura”

10/09/2025 - 19:16
Mehmetaj i reagon Osmanit pasi tha që po i përndiqen fëmijët: Hashim Thaçi e ka pas djalin e mitur kur Kurti dojke me ia martu me çikë të Vuçiqit
Lajme

Mehmetaj i reagon Osmanit pasi tha që po i përndiqen fëmijët: Hashim Thaçi e ka pas djalin e mitur kur Kurti dojke me ia martu me çikë të Vuçiqit

10/09/2025 - 19:06
Kurti refuzoi Limajn si kryeparlamentar, Izmaku: Limaj ka autoritet dhe është përafrues në skenën politike
Lajme

A do të ketë koalicion LVV-Nisma për formimin e Qeverisë së re?-flet Xhevahire Izmaku

10/09/2025 - 18:59
Ramadani: Serbia të ndëshkohet për shkelje të marrëveshjes ushtarake me NATO’n
Lajme

Ramadani: Lirojeni kameramanin, suspendoni policët – nuk jemi në diktaturë

10/09/2025 - 18:49

Më të lexuarat në 24 orët e fundit

  • VOX Kosova: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për Faruk Mujkën

    VOX Kosova: Prokuroria Speciale ngre aktakuzë për Faruk Mujkën

    101 Shpërndaje
    Shpërndaje 40 Tweet 25
  • Refuzon të largohet Kryeshefi i “Ibër-Lepencit” s’do të japë dorëheqje pas ngritjes së aktakuzës

    98 Shpërndaje
    Shpërndaje 39 Tweet 25
  • Fundi i misterit: Gruaja nga Ferizaj që u raportua e zhdukur, gjendet në Beograd duke bashkëjetuar me një burrë tjetër

    211 Shpërndaje
    Shpërndaje 84 Tweet 53
  • SHBA: Dronët rusë mbi hapësirën ajrore të Polonisë, akt lufte

    85 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21
  • Apple prezanton modelin e ri iPhone 17 Pro – ky është çmim fillestar

    84 Shpërndaje
    Shpërndaje 34 Tweet 21

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Privacy Policy

© 2023 Veriu.info

Nuk u gjet asgjë!
Të gjitha rezultatet
  • Ballina
  • Lajme
  • HULUMTIME
  • Sport
  • Ekonomi
  • ShowBiz
  • Lifestyle
  • Ndryshe
  • Opinione
  • Tech
  • Kuriozitete
  • Impresum

© Veriu.info

Veriu.info përdor cookies. Duke vijuar me hapjen e kësaj faqe, ju bini dakord me kushtet për përdorimin e cookies. Më shumë