Partia “Forca e Diasporës” kishte garuar me listë për asamble në zgjedhjet e vitit 2021, ku kryetar i saj ishte Jeton Ujkani, i cili kishte arritur të zgjidhet asamblist i Kuvendit Komunal të Mitrovicës.
Asamblisti Jeton Ujkani i “Forcës së Diasporës” po e konsolidon partinë e tij edhe për zgjedhjet e 12 tetorit, ku sot ka zyrtarizuar edhe një kandidat për asamble, duke bërë të ditur se projektit të tij politik i është bashkuar edhe aktori i mirënjohur Faton Berisha.
Mirëpo, pak pasi që Ujkani e zyrtarizoi Berishën si kandidat për asamble, foto me këta dy persona të “Forcës së Diasporës” ka publikuar edhe deputeti i VV-së dhe ish kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri.
“Nga një kafe me miq të vjetër, në këtë mbrëmje të freskët verore”, ka shkruar Bahtiri krahas fotos.
Kjo foto ka ngjallur reagime dhe ka riaktualizuar raportimet e vitit 2021, se Agim Bahtiri mund t’i jep mbështetje Jeton Ujkanit në zgjedhje lokale, edhe pse është parti tjetër.
Ndryshe, në mbledhjen e djeshme të VV-së në Mitrovicë, Agim Bahtiri para strukturave ka deklaruar se nuk do të jetë kandidat për kryetar komune në zgjedhjet e tetorit.
Cila është e kaluara e përbashkët e Agim Bahtirit me Jeton Ujkanin?
Agim Bahtiri pasi që kishte fituar në garën për kryetar komune më 2013, kishte marrë pranë vetës Jeton Ujkanin si ‘këshilltar të jashtëm’.
Gjatë mandatit të parë Jetoni Ujkanin e kishte emëruar drejtor të Drejtorisë së Prokurimit.
Mirëpo, raporti mes tyre ishte prishur në mandatin e dytë, kur Jeton Ujkani si Kryesues i Kuvendit Komunal që ishte nga AKR-ja e Agim Bahtirit, kishte aderuar në AAK, prej të cilës ishte larguar pak para zgjedhjeve lokale të 2021-tës.
Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2021, kishte pasur raportime mediale se Agim Bahtiri po e mbështet Jeton Ujkanin në krijimin e listës për asamble, pretendime të cilat nuk ishin faktuar asnjëherë, por që publikimi i fotografisë së sotme po ngjallë dyshime po bashkëpunim eventual mes tyre.