Donald Trump u ka thënë një grupi privat donatorësh vitin e kaluar se një herë kishte kërkuar ta pengonte presidentin rus Vladimir Putin nga sulmi ndaj Ukrainës duke e kërcënuar se do ta “bombardonte Moskën” si hakmarrje, sipas një regjistrimi audio të siguruar nga CNN.
“Me Putinin thashë, ‘Nëse hyn në Ukrainë, do ta bombardojë Moskën. Po ta them, nuk kam zgjidhje tjetër’”, tha Trump gjatë një fushate për mbledhjen e fondeve në vitin 2024, sipas audios. “Dhe pastaj [Putini] tha diçka si, ‘Nuk të besoj.’ Por më besoi 10%”.
Më pas Trump pohoi se i kishte dhënë një paralajmërim të ngjashëm presidentit kinez Xi Jinping në lidhje me një pushtim të mundshëm të Tajvanit, duke i thënë atij se SHBA do ta bombardonte Pekinin si kundërpërgjigje.
“Ai mendoi se isha i çmendur”, tha Trump për Xi-n, përpara se të shtonte se “kurrë nuk patëm problem”.
Këto deklarata, që vijnë teksa Trump po përpiqej të forconte argumentin e tij për një mandat të dytë, janë pjesë e një sërë regjistrimesh audio të mbledhjeve të fondeve në Nw York dhe Florida gjatë vitit 2024, të cilat më pas u siguruan nga gazetarët Josh Dawsey, Tyler Pager dhe Isaac Arnsdorf, që zbulojnë pjesë të bisedave në librin e tyre të ri, “2024.” Audio nuk ishte publikuar më parë. Fushata e Trump- ka refuzuar të komentojë për përmbajtjen e regjistrimeve.
Regjistrimet tregojnë një anë më të pakontrolluar të Trumpit që ai ishte i gatshëm ta shfaqte prapa dyerve të mbyllura për të tërhequr donatorë të pasur – duke folur jo vetëm për strategjinë e tij agresive të politikës së jashtme, por edhe për dëbimin e protestuesve studentorë dhe opinionin e tij se “njerëzit që jetojnë me ndihmë sociale” do të votojnë gjithmonë për demokratët.