Për kryetarin e LDK-së akuzat për vjedhje të votave brenda listës zgjedhore të partisë dhe insistimi në “strukturë të organizuar kriminale” nuk ishin brengë. Sipas tij s’do të duhej të ishin as për bashkëpartiakët e tij. I quante “luks momenta”, që s’habitej që disa i kishin.
Të paktën kështu mendonte më 2 mars 2025, dhe e shprehte hapur në një diskutim të brendshëm në grupin në “Viber” të kryesisë së partisë së tij.
Me “Përshëndetje Avdullah”, e nis Abdixhiku mesazhin e tij në grupin në “Viber” të kryesisë qendrore të LDK-së, si kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë për shqetësimet që i kishte ngritur ish-kryeministri në të njëjtën bisedë të brendshme. Gazeta online Reporteri.net e ka siguruar me “screenshot” edhe këtë komunikim.
Kryetari Abdixhiku është i brengosur vetëm për votat e partisë, pohonte vetë me shkrim i pari i LDK-së.
“Jam i interesuar që LDK të fitojë mandatin e 21-të. Këto çështjet tjera janë luks momental të cilën dhe nuk habitem që e keni. Sikur të ishim të gjithë të brengosur për këtë gjë, i kishim pas punët shumë më mirë”, shkruante Abdixhiku në “Viber”, derisa i përgjigjej vetëm shqetësimeve të Avdullah Hotit, i cili pajtohej me kërkesën e anëtarëve tjerë të kryesisë së LDK-së që kërkonin që situatës t’i vihej emri: “skemë e organizuar kriminale”.
“Në fakt jam i brengosur për nënperformacën e degëve nga realizimi i votave të regjistruara në vota aktuale për partinë. I kemi pasë të raportuara 40 mijë regjistrime, e po na realizohen gjysma e tyre në vota. Për këtë do të duhet të kishim brengë! Ju lus që të na kurseni nga ironitë…”, thuhej nder tjera në mesazhin e Abdixhikut.