Kandidati për deputet nga AAK, Daut Haradinaj, ka theksuar se anëtarësimi i Kosovës në NATO është një çështje jetike që nuk mund të shtyhet më tej. Ai ka kritikuar qeverinë aktuale për mungesën e angazhimit të duhur gjatë mandatit qeverisës , duke theksuar se Kosova duhet të jetë pjesë e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, pa vonesa dhe pa premtime boshe. “Përderisa disa vazhdojnë me fjalë të bukura, duke tjetërsuar vetën dhe duke manifestu një fitore të re që ajo e kaluara nuk sjelli rezultatet që gjithë pritën, Kosova po humbet mundësi që do të na mundësonin të forcojmë pozitat tona si komb. NATO është garancia jonë për paqe dhe siguri, dhe ky proces nuk mund të mbetet më një premtim i pastër,” tha Haradinaj në një tubim elektoral në Prishtinë.
Kosova po humb ritmin. “Të gjitha shtetet që janë duke investuar në zhvillimin e sigurisë dhe forcimin e pozicionit të tyre në NATO janë në rrugën e duhur. Kosova nuk mund të mbetet pasive. Duhet të fillojmë tani, AAK ka planin askional dhe politika të duhura që mbështesin këtë integrim,” shton ai.
“Ne kemi shumë mundësi për të ndihmuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Kosova duhet të jetë një partner i barabartë, jo një spektator pasiv. Kjo është e ardhmja jonë, dhe ne e kemi këtë mundësi tani. Për Kosoven dhe qytetarët e saj, integrimi në NATO është më shumë se një çështje politike. Është çështje sigurie, zhvillimi dhe prosperiteti. Vetëm duke qenë pjesë e NATO-s mund ta sigurojmë të ardhmen dhe mundësitë që e meritojmë,” përfundoi Haradinaj.