Gjergj Dedaj, ish-ambasador në Maqedoninë e Veriut ka komentuar mbi zgjedhjet e 9 shkurtit, duke theksuar se përkundër votimit të qetë dhe me dinjitet nga qytetarët e Kosovës, ato kishin mangësi të rëndësishme që njollosën procesin zgjedhor.
Ai për GazetaBlic kritikoi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për menaxhimin e dobët dhe dështimin në azhurimin e procesit, duke përmendur ndërhyrjen kriminale në server që solli konfuzion dhe tensione.
“Zgjedhjet e 9 shkurtit, përkundër faktit që qytetarët e Kosovës votuan qetë, me dinjitet dhe standarde të larta demokratike, ato kishin mangësi të tjera, të cilat e njollosën këtë proces zgjedhor”, tha Dedaj.
Dedaj gjithashtu e quajti skandaloz festimin e ish-kryeministrit Albin Kurti me disa ministra, duke përdorur gjuhë të papranueshme ndaj oponentëve politikë.
“Në radhë të parë, KQZ ka dështuar në menaxhimin dhe azhurimin e kësaj gare elektorale, duke filluar nga ndërhyrja kriminale në server, me ç’rast u krijua huti, tension dhe dëmtim në zgjedhjet e 9 shkurtit. Pastaj, festimi i ish-kryeministrit Kurti me një grup ministrash dështakë dhe militantë ekstremistë, duke i quajtur oponentët politikë “hajvan” dhe kohën e qeverisjes së tyre “hajvanat”, ishte kulmi i marrëzisë së pushtetit në ikje, i cili çirrej egërsisht dhe zgërdhihej në shesh”, shtoi ai.
Ai e konsideroi si të dyshimtë edhe vonimin e shpalljes së rezultateve nga ana e KQZ dhe manipulimin e votave nga Ambasadat dhe Konsullatat, për të cilat akuzoi MPJD dhe diplomatët e lidhur me LVV.
“Edhe prolongimi i shpalljes së rezultateve nga ana e KQZ dyshohet të jetë i diktuar nga pushteti. Pastaj, “rezultatet” e votave të manipuluara të ardhura nga ambasadat dhe konsullatat ishin skandaloze dhe një keqërdorim flagrant i orkestruar nga MPJD dhe “diplomatët” familjarë dhe militantë të LVV dhe Guxo”, tha Dedaj.
Dedaj gjithashtu theksoi se pas publikimit të rezultateve, ka pasur manipulime dhe keqëpërdorime të votave brenda partive dhe koalicioneve, duke i dëmtuar kandidatët e brendshëm dhe duke ngritur dyshime mbi transparencën e procesit zgjedhor. Ai përfundoi se të gjitha këto mangësi e vendosin në dyshim besueshmërinë e rezultatit të zgjedhjeve të 9 shkurtit.
“Ndërkohë, pas publikimit të rezultateve për deputetët e subjekteve politike që pritet të jenë pjesë e Kuvendit të Kosovës, dyshohet dhe është më se evidente se, përveç keqëpërdorimeve ndërpartiake, ka pasur edhe manipulime nga komisionerët dhe numëruesit, madje brenda një partie apo koalicioni, duke ia shtuar votat kandidatëve të tjerë dhe duke i dëmtuar kandidatët e së njëjtës parti. E gjithë kjo vë në dukje keqëpërdorimin e votave të 9 shkurtit, dhe me të drejtë disa nga kandidatët kërkojnë rinumërim të votave”, shtoi ai.
“Të gjitha këto, të cilat i përmenda më lart, vënë në dyshim transparencën dhe tërë procesin e votimit, duke na bërë të dyshojmë në rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit të kaluar”.