Më herët, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë se ai s’i jep paratë e buxhetit ‘’ për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin’’.
‘’Ju e dini unë nuk e jap buxhetin e shtetit dhe paratë e taksave për ata kryetarë të cilët nuk dinë të punojnë mirë apo për ata që vjedhin. Mos i votoni ata që nuk dinë dhe nuk duan punën, e as ata që dinë e duan vjedhjen’’, ka thënë Kurti mes tjerash.
Për këtë ka reaguar Vlora Çitaku nga Partia Demokratike e Kosovës. E njëjta e ka cilësuar si skandaloze deklaratën e Kurtit, duke shtuar se ky i fundit ka ‘’kërcënuar hapur’’ qytetarët e vendit, shkruan Gazeta Express.
Çitaku ka shtuar se megjithatë, deklarata e Kurtit nuk e ka befasuar atë, pasi që, siç ka shtuar ajo, Kurti ka qeverisur kësisoj prej ditës së parë.
Postimi:
Çfarë deklarate skandaloze nga Kryetari i VV sonte.
Ai kërcënoi hapur qytetarët e Kosovës, duke u thënë se nëse nuk votojnë për vasalët e tij në komuna, ai si Kryeministër nuk do t’i mbështesë.
Në fakt, kjo nuk më befasoi. Ashtu ka qeverisur prej ditës së parë: me ndëshkim politik ndaj komunave që nuk udhëhiqen nga partia e tij. Ka komuna të qeverisura nga PDK që kanë përfituar 0 euro nga buxheti i Kosovës.
E megjithatë, këto janë po ato komuna që kanë kryesuar listat e organizatave të pavarura për transparencë, menaxhim të buxhetit dhe qeverisje të mirë.
Skandaloze ishte shkalla e arrogancës dhe përbuzjes ndaj qytetarëve.
A.K, ti fole sonte.
Por më 9 nëntor, qytetarët do të flasin.
Dhe atëherë do ta kuptosh se ky popull as nuk nënshtrohet, as nuk shantazhohet.














