Krimet Ekonomike kanë zhvilluar të enjten aksion në shumicën e pikave të rrjetit të laboratorëve dhe poliklinikave ‘Avicena’ në Kosovë, nën dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare, falsifikim të dokumenteve dhe ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike. 19 lokacione u mbyllën, 5 rezultuan që s’janë aktive, ndërsa 9 të tjera do të vazhdojnë punën me masat e shqiptuara.
Në mesin e personave të intervistuar janë edhe zyrtari i ministrisë së Shëndetësisë, Ragip Hyseni, Kryesues i Bordit për Licencimin e Institucioneve Private Shëndetësore, pozitë kjo të cilën paraprakisht e ka pasur deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, ish-zyrtari i MSH-së, Isak Shabani, i cili po ashtu është intervistuar në lidhje me këtë rast.
Gazeta Online Veriu.info u ka dërguar pyetje dy të intervistuarve, Ragip Hysenit dhe Isak Shabanit.
Deputeti i PDK-së, ish zyrtar në MSH, Isak Shabani, ka deklaruar se është intervistuar si i dyshuar vetëm për një licencë nga dhjetra kicenca që ka marrë IPSH “Avicena”.
Ai ka thënë se gjatë shqyrtimit të aplikacionit për rastin e vetëm ku ka marrë pjesë, sipas tij nuk ka pasur asnjë parregullsi.
“Unë përgëzoj organet e drejtësisë për punën që bëjnë për të sqaruar çdo çështje që ka të bëjë me keqpërdorimet e mundshme nga koshdo qoftë. Deklaroj me përgjegjësi të plotë se, gjatë shqyrtimit të aplikacionit për rastin e vetëm ku kam marrë pjesë, nuk ka pasur asnjë parregullsi. Besoj se këtë e kam dëshmuar edhe gjatë intervistës time.
Me respekt.” – tha Shabani për Veriu.info.
Veriu.info ka dërguar pyetje edhe për zyrtarin e MSH, Ragip Hyseni, i cili ka thënë se lidhur me rastin është intervistuar në cilësinë e kryesuesit të bordit në emër të bordit që përbëhet nga 5 persona për sqarime se a janë respektuar procedurat e licencimit.
Hyseni ka thënë se është respektuar procedurat ligjore për licencim, kurse puna e tyre praktike është kompetencë e inspektoratit shëndetësor.
“Sa i perkete respektimit te bazes kritereve ligjore per licencim cdo institucion qe i leshohet licenca eshte respektuar ne perpikmeri ndersa puna e tyre ne praktike eshte kompetence e imnpektoratit shendetesor per mbikqyrje andaj ne procedurat e licencimit nuk ka dilema por ofrimi i sherbimeve ne institucione private ka qene cak i hetimit.” – ka thënë Hyseni për Veriu.info.