Kosova ka shënuar një rënie të re dhe shqetësuese në Indeksin Vjetor të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga Reporterët pa Kufij (RSF), duke u renditur në vendin e 99 nga 180 shtete, rënie drastike krahasuar me vitin e kaluar kur ishte në vendin e 75.
Raporti thekson se gazetarët në Kosovë janë shënjestra të vazhdueshme të sulmeve politike.
Në lidhje me këtë regres të madh në lirinë e medias, ka folur deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës njëkohësisht ish-gazetare, Blerta Deliu-Kodra.
Deliu tha se kjo rënie nuk është për faj të gazetarëve, por pasojë e një ambienti represiv, të frikës dhe shantazhit që kjo qeveri ka krijuar për mediat dhe gazetaret.
“Është për keqardhje rënia e Kosovës në vendin e 99-të sa i përket Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit.Kjo rënie nuk është për faj të gazetarëve, por pasojë e një ambienti represiv, të frikës dhe shantazhit që kjo qeveri ka krijuar për mediat dhe gazetaret” tha Deliu.
Ajo tutje tha se ‘pushtetit aktual ka zgjedhur të sulmojë gazetarët dhe të favorizojë propagandën mbi transparencën’
“Në vend të mbështetjes së gazetarisë së lirë, pushteti aktual ka zgjedhur të sulmojë gazetarët, t’i etikojë ata, t’i injorojë pyetjet legjitime dhe të favorizojë propagandën mbi transparencën.Ky regres është aktakuzë politike dhe morale për Qeverinë e Kosovës” tha Deliu në përgjigjen e dhënë për Gazetën Blic.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) pas këtij raporti është shprehur thellësisht i shqetësuar me këtë renditje, më e ulëta në dhjetë vitet e fundit.
AGK e konsideroi këtë si pasojë të një politike armiqësore ndaj mediave në dy vitet e fundit nga qeveria e udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.