Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet të enjten nga ora 14:00.
Në këtë mbledhje të Kryesisë do të ketë konsultime për funksionalizimin e trupave punues të Kuvendit, si dhe diskutim rreth miratimit të buxheteve komunale për tri komuna.
Njohësi i çështjeve politike, Arton Demhasaj, lidhur me këtë paralajmërim u shpreh se Qeveria në detyrë nuk duhet të propozojë buxhet, pasi mandati i saj tashmë ka skaduar, raporton Gazeta Blic.
Sipas Demhasajt, ajo që duhet të bëjë Qeveria është miratimi i disa ndryshimeve të vogla mbi ligjin aktual të buxhetit, në mënyrë që të paktën për muajt janar dhe shkurt të sigurohen pagat për sektorin publik.
“Është problematike kjo punë dhe ka dy interpretime, për shkak se Qeveria në detyrë në parim ka të drejtë të propozojë buxhet. Mirëpo, nëse bazohemi në atë që ka thënë Gjykata Kushtetuese dhe në vendimet e saj, si dhe në ligjet e aplikueshme që përcaktojnë se çfarë konsiderohet Qeveri në detyrë, kur një qeveri shkarkohet ose kur një kryeministër jep dorëheqje — në rastin tonë nuk kemi asnjërën nga këto.”
“Unë mendoj se Qeveria nuk duhet të propozojë buxhet, sepse kësaj Qeverie i ka skaduar moti mandati. Krejt çka mundet eventualisht të bëjë është të miratojë disa ndryshime të vogla, në mënyrë që të paktën për janar dhe shkurt ligji aktual i buxhetit të votohet në Kuvend, që janari dhe shkurti të kenë paga për sektorin publik.”
“Dhe sa më shpejt të mbahen zgjedhjet e parakohshme, me synimin që të krijohet një Qeveri e re sa më shpejt, e cila pastaj të hartojë buxhetin, ta votojë dhe miratojë në Kuvend, për të ecur në rrugën që Kosova nuk duhet ta humbasë asnjëherë — rrugën drejt Perëndimit,” përfundoi Demhasaj për Gazeta Blic.













