Një rast i rëndë i dëmtimit të pasurisë është zbuluar në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë, ku është dëmtuar një objekt i Postës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.
Rasti është raportuar gjatë ditës së sotme nga ankuesi A.S, i cili ka njoftuar Policinë për dëmtimet e shkaktuara në objekt.
Sipas informacioneve, në vendin e ngjarjes janë konstatuar: derë e thyer që lidh biznesin “MTS” me Postën e Kosovës, alarmet e dëmtuara plotësisht, orenditë dhe kompjuterët të çrregulluar.
Ajo që e bën rastin edhe më të dyshimtë është fakti se dera kryesore e biznesit “MTS”, e cila është metalike, nuk është thyer, por dyshohet se është hapur me çelës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetimore, ndërsa në konsultim me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”.
Hetimet janë duke vazhduar për të zbardhur rrethanat dhe për të identifikuar të dyshuarit.













