Kryetari i Kuvendit, Dimal Basha, ka pritur në takim një delegacion prej dhjetë deputetësh nga grupe dhe komisione të ndryshme parlamentare të Finlandës, të shoqëruar nga ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Eevamari Laaksonen.
Në një njoftim, Kuvendi tha se deputetëve finlandezë kryetari Basha u shprehu “mirënjohjen e thellë shtetërore për mbështetjen e vazhdueshme që vendi mik e partner i Finlandës dhe populli finlandez i kanë dhënë Kosovës ndër vite, mbështetje kjo jashtëzakonisht e çmuar në rrugëtimin e konsolidimit demokratik dhe shtetndërtues të vendit tonë”.
Në diskutimet e zhvilluara, në përgjigje të interesimit të lartë të deputetëve, Kuvendi tha se Basha ritheksoi perspektivën europiane të Republikës së Kosovës dhe “aspiratat e saj të fuqishme” për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare.
“Ne jemi popull që besojmë në vlerat perëndimore të demokracisë, të drejtës, të mirëqenies, barazisë dhe të lirisë, mbi të cilat është ngritur shteti ynë. Përkundër sjelljeve të vazhdueshme penguese, agresive dhe destruktive të Serbisë, angazhimi ynë mbetet garantimi i integritetit territorial, sigurimi i mirëqenies për të gjithë qytetarët tanë dhe avancimi në rrugën tonë të integrimit evropian”, tha Basha.
Kreu i Kuvendit potencoi gjithashtu se “Kosova është e dëshmuar për nga përkushtimi në respektimin e të drejtave të të gjitha komuniteteve si shoqëri gjithëpërfshirëse, ku secili qytetar, pa asnjë dallim, ka vend të barabartë në jetën publike dhe politike të vendit, me të gjitha të drejtat e garantuara kushtetuese dhe ligjore”.
Ai po ashtu potencoi faktin se Kosova “ka ndërmarrë reforma të thella institucionale, duke forcuar sundimin e ligjit dhe duke e luftuar me vendosmëri korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
“Kjo vërtetohet edhe me matjet e indekseve kredibile ndërkombëtare, që Kosovën e vlerësojnë si vend që garanton lirinë e shprehjes dhe që po shënon progres të gjithëmbarshëm ekonomik, duke dëshmuar kështu orientimin tonë të qartë drejt të ardhmes në familjen evropiane”, tha kryetari Basha.