Deputeti i Parlamentit Evropian, Thijs Reuten, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i përgjigjet Millorad Dodikut, kreut të Republika Sërpskas.
Entiteti serb i Bosnjës, presidenti i të cilit Milorad Dodik po sfidon ndalimin që i është dhënë për të mbajtur një detyrë zyrtare, do të organizojë një referendum më 25 tetor mbi vendimin e gjykatës federale kundër tij.
Ligjvënësit në asamblenë rajonale të Republikës Sërpska (RS) votuan të premten vonë për referendumin mes një krize politike që po përkeqësohet pasi kryeministri i RS-së, njeri i Dodikut, dha dorëheqjen këtë javë.
Reuten thotë se është shqetësuese që Bashkimi Evropian nuk reagon ndaj këtyre ngjarjeve.
“Epo siç e dini, në përgjithësi unë jam mjaft kritik i faktit se Bashkimi Evropian nuk reagon edhe ndaj këtyre ngjarjeve. Kjo nuk ka të bëjë asgjë me ndërhyrje a diçka të tillë, thjesht ka të bëjë me nxjerrjen në pah se kjo është anti-kushtetuese dhe e rrezikon rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian”, tha Reuten në një intervistë për Info Magazine në Klan Kosova.
Sipas tij, një veprim i tillë rrezikon stabilitetin e rajonit dhe kjo, siç shprehet Reuten, duhet të jetë në interes të BE-së “sepse ne duam që këto vende të anëtarësohen në BE, t’i çojnë përpara vlerat e sundimit të ligjit dhe rendit kushtetues”.
“Andaj mendoj se do të ishte e përshtatshme, sidomos tani që po merren këta hapa eskalues si ky, që së paku të sigurohemi që t’i përgjigjemi dhe që njerëzit ta dinë se çfarë rrezikojnë”, u shpreh Thijs Reuten.
Ai shtoi se është i mendimit që veprimi i Dodikut në fakt është një eskalim.
“Vendimi ka qenë i qartë, është konfirmuar edhe në Apel dhe institucionet shtetërore tani duhet t’i kryejnë detyrat e tyre. Referendumi absolutisht nuk është ligjor dhe nuk ka asnjë institucion që e mbikëqyr apo garanton pavarësinë e tij, andaj të gjithë e dimë se si do të përdoret apo duhet të them të keqpërdoret ky referendum”.
“Është anti-kushtetues dhe i minon të gjitha hapat që janë ndërmarrë në të kaluarën, e minon unitetin e Bosnje Hercegovinës si shtet”, deklaroi Reuten.
Dodik u dënua në shkurt nga një gjykatë federale boshnjake për shkelje të vendimeve të të dërguarit ndërkombëtar që zbatonte një marrëveshje paqeje që i dha fund luftës së Bosnjës 1992-1995.
Vuçiqi e përdor Dodikun për ta larguar vëmendjen nga kërkesa për dorëheqje
Deputeti i PE-së është i mendimit se presidenti i Serbisë, Alleksandar Vuçiq, ndonëse e thotë të kundërtën, po ndërhyn në punët e Bosnje e Hercegovinës.
Madje sipas tij, ai këtë e bën për të larguar vëmendjen nga problemet që i janë shfaqur në vend kohëve të fundit.
“… thotë gjithnjë se ai nuk dëshiron të ndërhyjë në Bosnje dhe Hercegovinë, ai haptazi e mbështet Milorad Dodikun dhe poashtu lidhet me atë se Vuçiqi e përdor Republikën Serbe si shpërqendrim”.
“Ai e përdor cilindo mjet të mundshëm për ta shpërqendruar vëmendjen nga zhvillimet në shtëpi ku ai qartazi po përballet me protesta të papara, dhe thirrje të padëgjuara ndaj tij që të japë dorëheqje dhe të thërrasë zgjedhje të jashtëzakonshme”.
“Është e qartë se pjesa dërrmuese e popullsisë në Serbi dëshiron që të marrin kah tjetër, kështu që ai është nën presion dhe përpiqet gjithnjë të gjejë rrugë të reja që ta shpërqendrojë popullin nga zhvillimet politike atje”, deklaroi eurodeputeti Reuten.