Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Arbër Rexhaj ka folur pas njoftimit se Lista Serbe do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese rastin për zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga komuniteti jo-shumicë serb.
Rexhaj ka theksuar se veprimi i Listës Serbe nuk ka bazë ligjore, pasi, sipas tij, Kushtetuta përcakton që nënkryetari i Kuvendit zgjidhet nga komuniteti serb, e jo domosdoshmërisht nga grupi më i madh politik brenda atij komuniteti.
“Lista Serbe nuk ka të drejtë sepse deputetët e Kuvendit të Kosovës përmes votës, nuk e kanë votuar asnjë të Listës Serbe dhe në Kushtetutën e Kosovës, nënkryetarin zgjidhet nga komuniteti serb dhe jo nga grupi më i madh”, ka deklaruar Rexhaj.
Ai është shprehur optimist se ankimimi i Listës Serbe nuk do ta vonojë procesin e formimit të Qeverisë dhe se brenda afatit ligjor mund të arrihet marrëveshja e nevojshme politike.
“Por besoj se kjo çka ka bërë Lista Serbe nuk do ta prolongoj formimin e Qeverisë. Sa kanë mbetur tashmë edhe 10 ditë, kemi pasur një mbledhje të Grupit Parlamentar dhe Kurti ka thënë se është duke biseduar me gjithë akterët të cilët ai mendon se përmes tyre mund ta bëjë Qeverinë”, ka shtuar ai.
Rexhaj ka theksuar se ekziston vullneti për të formuar qeverinë e re pa shkuar në zgjedhje, megjithatë ka pranuar se në rast të dështimit, vendi sërish do të duhet të shkojë në votime.
“Ne do të përpiqemi që t’i bëjmë numrat, besoj se ka grupe parlamentare, ka subjekte, ka deputetë që nuk duan që vendi të shkojë në zgjedhje. Unë jam optimist se do të formohet Qeveria e re, por nëse nuk ndodhë një gjë e tillë, zgjidhja janë zgjedhjet”, ka përfunduar deputeti i LVV-së./Front Online