Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Enver Dugolli, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit të ri të Kosovës, duke theksuar se pas miratimit të buxhetit të hënën, pritet të hapet diskutimi për këtë çështje.
Ai tha se synimi i LVV-së është arritja e një konsensusi me mirëkuptim për të shmangur zgjedhje të reja.
Dugolli ka deklaruar se mund të ketë emër tjetër për president përveç atij të Osmanit.
“Nuk ka ende një kandidaturë definitive që do ta përkrahim, për shkak se nuk po dëshirojmë që partitë opozitare ta marrin si sinjal që po dëshirojmë ta imponojmë dikë. Synojmë që ta arrijmë një konsensus me mirëkuptim që për të mos dërguar vendin në zgjedhje të reja. Mund të ketë emër tjetër, përveç të Vjosa Osmanit. Nuk mund të paragjykojmë. I kemi vetëm 66 vota, nuk i kemi mbi 80 që t’ia sigurojmë Vjosa Osmanit. Na mbetet të gjithëve që t’ia sigurojmë”, deklaroi ai në emisionin “Info Nata” në Tëvë1.














