Deputeti shqiptar në Kantonin e Bernit në Zvicër, Korab Rashiti, ka shprehur publikisht mbështetjen e tij për kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza.
Rashiti e konsideron Hamzën, si kandidatin më të përshtatshëm për Kryeministër të Kosovës pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit.
“Si në formë, ashtu edhe në përmbajtje, është kandidati më adekuat për postin e kryeministrit”, ka thënë ai, duke e përshkruar atë si modest, pragmatik dhe me politika të përmasuara.
Ai ka theksuar se Kosovës i duhet normalitet dhe qeverisje e thjeshtë, jo liderë me kult personaliteti apo eksperimente politike.
“Kosovës nuk i duhet një lider me kult personaliteti apo eksperimente politike; Kosovës i duhet normalitet, thjeshtësi dhe një qeverisje që menaxhon punët e përditshme me modesti, sepse vendi është i varfër dhe ka nevojë për stabilitet”, ka shkruar ai.
Deputeti shqiptar shtoi se me një qeverisje të udhëhequr nga Bedri Hamza, do të ishte i gatshëm të luante rol aktiv në forcimin e marrëdhënieve mes Zvicrës dhe Kosovës.
“Me një aleancë të tillë, me Bedri Hamzën si kryeministër, unë do të isha i gatshëm të luaja një rol aktiv në forcimin e lidhjeve të ngushta mes Zvicrës dhe Kosovës, për të ndërtuar një dinamikë të vërtetë ekonomike dhe për të thelluar lidhjet politike.”
Në fund, ai ka bërë një thirrje të qartë për bashkatdhetarët.
“Unë do të votoj për Bedri Hamzën dhe ftoj diasporën të bëjë të njëjtën gjë!”.














