Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Marigona Geci, ka thënë se gjatë vitit 2021, një person që sipas saj ishte dërguar nga kryeministri Albin Kurti, kishte tentuar “t’ia blejë votën”.
“Në mars të vitit 2021, një person i dërguar nga kryeministri Kurti erdhi në shtëpinë e babait tim në fshatin Llaushë për ta blerë votën time në këmbim të pozicioneve politike”, tha ajo në seancën e Kuvendit.
E sipas saj, ky është një shembull konkret se si vepron Lëvizja Vetëvendosje për të siguruar mbështetje.
Më pas ajo ka lëshuar një audio-incizim ku dëgjohet duke biseduar në telefon më një person babai i saj Gani Geci.
“Është mirë me u pa unë e t’i”, dëgjohet duke i thënë personi i pa identifikuar nga deputetja.
“Ju keni menduar që familja ime e shet votën në këmbim të posteve politike, por keni gabuar”, ka shtuar deputetja Geci.
Ajo ka potencuar po ashtu se ka qenë dhe do të jetë besnike ndaj partisë së saj Lidhjes Demokratike të Kosovës.