Tensionet e krizës mes Rusisë dhe Ukrainës kanë filluar për afër dy muaj, ku edhe me angazhimin e diplomacisë për të zgjidhur këtë çështje, është shënuar pak progres në këtë drejtim.
Rusia tashmë ka më shumë se 100 mijë trupa ushtarake rreth kufirit me Ukrainën, gjë që ka nxitur reagimet nga Perëndimi për pushtimin e mundshëm të Ukrainës, shkruan Al-Jazeera, transmeton lajmi.net.
Moska, e cila vazhdimisht ka mohuar planet e saja për pushtimin e Ukrainës, ka thënë se po i përgjigjet agresionit të aleatëve të NATO-s, duke i hedhur poshtë paralajmërimet për pushtim dhe duke i cilësuar si “histeri”.
Më poshtë gjeni ngjarjet kryesore mes Rusisë dhe Ukrainës që sollën tensionimin e situatës atje:
Nëntor, 2021
Imazhet satelitore tregojnë grumbullim të ri të trupave ushtarake ruse në kufirin me Ukrainën, ndërsa Kievi deklaron se Moska ka mobilizuar rreth 100 mijë ushtarë së bashku me tanke dhe pajisje të tjera ushtarake.
7 dhjetor, 2021
Presidenti i SHBA, Joe Biden, paralajmëron Rusinë për sanksione të mëdha ekonomike perëndimore nëse e pushton Ukrainën.
17 dhjetor, 2021
Rusia paraqet kërkesat e detajuara të sigurisë ndaj Perëndimit, duke kërkuar gjithashtu që NATO të ndërpresë të gjitha aktivitetet ushtarake në Evropën Lindore dhe Ukrainë. Rusia kërkoi që aleanca të mos pranojë kurrë Ukrainën ose vendet e tjera ish-sovjetike si anëtare në NATO.
3 janar, 2022
Presidenti i SHBA, Joe Biden, e siguron presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskyy se SHBA do të “përgjigjet me vendosmëri” nëse Rusia pushton Ukrainën. Të dy diskutuan në telefon për përgatitjet e takimeve të ardhshme diplomatike me qëllim që të adresojnë krizën.
10 janar, 2022
Zyrtarët amerikan dhe rus takohen në Gjenevë për diskutime diplomatike, por se mosmarrëveshjet vazhdojnë të mbesin të pazgjidhura pasi që Moska përsërit kërkesat e sigurisë e që Uashingtoni thotë se nuk mund t’i pranojë.
24 janar, 2022
NATO vendos forcat në gatishmëri dhe përforcon praninë e saj ushtarake në Evropën Lindore me më shumë anije dhe avionë luftarak. Disa vende perëndimore nisin evakuimin e stafit jo-thelbësor të ambasadave nga Kievi. SHBA vendos në gatishmëri 8 mijë e 500 trupa ushtarake.
26 janar, 2022
Uashingtoni i përgjigjet me shkrim kërkesave të sigurisë nga ana e Rusisë, duke përsëritur përkushtimin ndaj politikës së NATO-s me dyer të hapura, ndërsa ofron një “vlerësim parimor dhe pragmatik” të shqetësimeve të Moskës.
27 janar, 2022
Presidenti amerikan, Joe Biden paralajmëron një pushtim të mundshëm rus në muajin shkurt. Kina përfshihet gjithashtu duke i thënë SHBA-së se “shqetësimet legjitime të sigurisë të Moskës duhet të merren seriozisht”.
28 janar, 2022
Presidenti rus, Vladimir Putin deklaron se kërkesat kryesore të sigurisë nga ana e Rusisë nuk janë adresuar, por thotë se Moska është e gatshme të vazhdojë diskutimet. Në anën tjetër, presidenti ukrainas Zelenkskyy paralajmëron Perëndimin që të shmangë krijimin e “panikut”, pasi që kjo do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit të tij.
31 janar, 2022
SHBA dhe Rusia “grinden” për krizën e Ukrainës në një seancë speciale të mbyllur të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ambasadorja e SHBA në OKB, Linda Thomas-Greenfield deklaroi se një pushtim rus i Ukrainës do të kërcënonte sigurinë globale.
I dërguar i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, akuzoi Uashingtonin dhe aleatët e tij se po nxisin kërcënimin e luftës, pavarësisht mohimeve të vazhdueshme të Moskës për një pushtim të planifikuar.
“Diskutimet për kërcënimin e luftës janë provokuese në vetvete. Ju pothuajse po bëni thirrje për këtë. Ju dëshironi që kjo të ndodhë”, tha Nebenzya.
1 shkurt, 2022
Presidenti rus, Vladimir Putin mohon planet për pushtimin e Ukrainës dhe akuzon SHBA-të për injorim të kërkesave të Rusisë.
“Tashmë është e qartë se shqetësimet ruse përfunduan duke u injoruar”, kishte deklaruar Putin.
6 shkurt, 2022
Rusia përfundon 70 për qind të përgatitjes ushtarake që i nevojitet për të nisur një pushtim të plotë të Ukrainës, sipas zyrtarëve amerikan të cituar në anonimitet në mediat amerikane.
8 shkurt, 2022
Presidenti francez, Emmanuel Macron takohet me presidentin rus, Vladimir Putin, për të diskutuar rreth çështjes së Ukrainës, teksa deklaron para mediave se Rusia nuk do të eskalojë krizën në Ukrainë. Në anën tjetër, Moska mohoi se Macron dhe Putin kanë arritur ndonjë marrëveshje për de-eskalimin e situatës së krijuar. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi se “në situatën aktuale, Moska dhe Parisi nuk mund të arrijnë ndonjë marrëveshje”.
10 shkurt, 2022
Sekretarja e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar, Liz Truss dhe ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov diskutojnë rreth situatës, por pa ndonjë rezultat.
Në një konferencë të “ftohtë” për shtyp, Lavrov e përshkroi takimin si “një bisedë mes një personi memec dhe një personi të shurdhër”. Ai shtoi se “faktet” e paraqitura nga ekipi i tij mbi krizën “u kthyen” nga homologët e tyre britanikë. Në anën tjetër, Truss paralajmëroi për sanksione të ashpra perëndimore nëse sulmohet Ukraina, sfidoi Lavrov në lidhje me pohimin e tij se grumbullimi i trupave dhe armatimeve të Rusisë në kufi me Ukrainën, nuk po kërcënojnë askënd.
11 shkurt, 2022
Këshilltari i Sigurisë Kombëtare të Joe Biden, Jake Sullivan, deklaron se inteligjenca amerikane ka treguar se një pushtim rus mund të fillojë brenda disa ditësh, përpara se të përfundojnë Lojërat Olimpike të Pekinit më 20 shkurt.
Pentagoni urdhëroi dërgimin e 3 mijë trupave amerikane në Poloni për të siguruar aleatët. Ndërkohë, një numër vendesh ju bëjnë thirrje qytetarëve të tyre të largohen nga Ukraina, me disa paralajmërime se evakuimi ushtarak nuk mudn të garantohet në rast lufte.
12 shkurt, 2022
Presidenti amerikan dhe ai rus bisedojnë përmes një konference virtuale. Joe Biden deklaron se pushtrimi i Ukrainës nga Rusia do të shkaktonte “vuajtje të gjerë njerëzore” dhe se Perëndimi ishte i përkushtuar ndaj diplomacisë për t’i dhënë fund krizës, por theksoi se gjithashtu janë të përgatitur edhe për skenarë të tjerë.
Putin në anën tjetër u ankua në thirrjen se SHBA dhe NATO nuk i janë përgjigjur në mënyrë pozitive kërkesave ruse që Ukrainës t’i ndalohet hyrja në aleancën ushtarake të NATO-s dhe kërkesën për tërheqjen e trupave të NATO-s nga Evropa Lindore.
Yuri Ushakov, ndihmësi kryesor i Putinit për politikën e jashtme, deklaroi se ndërsa tensionet janë përshkallëzuar prej muajsh, ditëve të fundit “situata thjesht është sjellë në pikën e absurditetit”. Ai tha se Biden përmendi sanksionet e mundshme që mund të vendosen ndaj Rusisë, por deklaroi se “kjo çështje nuk ishte fokusi gjatë një bisede mjaft të gjatë me liderin rus, Vladimir Putin”.