Kryeministrit Albin Kurti nuk po i mjaftojnë vetëm podiumet e sallave të sportit për të iu drejtuar qytetarëve në fushatë zgjedhore. Ditëve të fundit, si skenë të improvizuar për t`i përshëndetur qytetarët, ai po e përdor edhe xhipin e tij të zi.
Fushata zgjedhore e kryeministrit Albin Kurt nuk po karakterizohet vetëm me bërtitma dhe fyerje për opozitën, mediat dhe gjyqësorin.
Fushatës zgjedhore të kandidatit të VV-së për kryeministër në javën e dytë i është shtuar edhe një element. Duket se shefit të Qeverisë nuk po i mjaftojnë vetëm skenat e sallave të sporteve për t`i përshëndetur qytetarët, raporton gazeta Nacionale.
Pas tubimeve në salla të sportit, ai po i përshëndet qytetarët nga “xhipi i zi”.
Madje, atij nuk po i mjafton vetëm dritarja e xhipit.
Në tubimet e fundit, ai po “kacavjerrët” në xhip, duke dalë mbi të për të për folur e për t`i përshëndetur simpatizantët e VV-së.
Në këtë mënyrë, Kurti po e shfrytëzon xhipin e tij të zi si podium për ta parë qytetarët.
Një gjë të tillë ai e ka bërë pas tubimit zgjedhor në Ferizaj dhe Vushtrri.
Mirëpo, sa ishte në opozitë, i pari i VV-së drejtonte kritikat të ashpra ndaj ish-pushtetarëve, të cilët voziteshin me xhipa të zi e të rrethuar me shumë truproje.
Ai nuk hezitonte për këto arsyeje t`i kritikonte ish-pushtetarët në protesta e intervista.
Derisa iu drejtohej simpatizantëve të VV-së në një protestë të vitit 2013, ai kritikonte ashpër elitat e atëhershme politike.
“Ata kanë xhipa. Ne duam trotuare. Ata kanë vëllezër e kushërinj. Ne kemi shoqe dhe shokë”, thoshte Kurti.
Edhe më i ashpër ndaj pushtetarëve të kohës ishte treguar në një intervistë për RTK.
Ai kishte thënë se me anë të xhipave të zi pushtetarët po mundohen ta kompensojnë inferioritetin e tyre.
“Nuk kanë nevojë për xhipa, a janë të rrezikuar? Kush do me i vra këta njerëz që u dashka xhipa me xhama të zi”, kishte thënë Kurti, duke shtuar se të njëjtit po mundohen të shërojnë kompleksitetin e tyre.
“Këta njerëz kanë kompleks të madh të inferioritetit dhe mundohen që kompleksin e inferioritetit ta kompensojnë me xhip. Nuk të bën xhipi njeri të mençur. Kur nuk je njeri i mençur badihava hyp në xhip. As kur nuk je patriot e kur nuk je i guximshëm kot hyp në xhip. Këta njerëz mundohen që me do xhipa me i kompenzu do defiqienca personale të integritetit të tyre e kështu më radhë”, kishte thënë Kurti.
Më të marrë postin e kryeministri, Albin Kurti i kishte harruar këto kritika.
Pasi hyri në Zyrën e Kryeministrit, ai nuk i ka bërë naze xhipit të zi.
Kurti nuk ka refuzuar as truprojat dhe këshilltarët e shumë, për të cilët i kritikonte fort paraardhësit e tij.