Humanisti Halil Kastrati ka ndarë një histori të fuqishme që dëshmon edhe një herë se humanizmi mund të ndryshojë jetë brenda pak orësh.
Ai ka bërë të ditur se dje është marrë në përkujdesje një i moshuar, i cili ishte në gjendje tejet të rëndë – i lodhur, i rrënuar, i ftohtë, i uritur dhe i vetëm, duke u shuar në heshtje.
Sipas Kastratit, po të mos ishte ndërhyrja në kohë, sot mund të ishte tepër vonë. Vetëm 24 orë pasi u vendos në shtëpinë e të moshuarve, gjendja e tij ndryshoi rrënjësisht.
“I moshuari u la, u vesh, u ushqye, u ngroh, u respektua dhe u përqafua. Mbi të gjitha, iu kthye shpresa – sytë që dje ishin të fikur, sot qeshin, ndërsa trupi që mezi qëndronte, sot ecën me dinjitet”, ka shkruar Kastrati.
Ai thekson se ky nuk është thjesht një ndryshim pamjeje, por një ringjallje jete, duke e cilësuar këtë përvojë si emocionin që i mban gjallë ata që ndihmojnë.
Në fund, Kastrati ka falënderuar të gjithë bamirësit për përkrahjen, duke theksuar se lotët e gëzimit nga këto raste vlejnë më shumë se çdo fjalë.














