Një veprim simbolik i tenistit serb Novak Djokoviç pas fitores në Wimbledon ka ndezur reagime të ashpra në Serbi, duke e kthyer atë në shënjestër të mediave pro-qeveritare dhe politikanëve të afërt me pushtetin.
Ish-ministrja Zorana Mihajloviç, gjatë një paraqitjeje në televizionin “Pink”, e sulmoi hapur Djokoviçin, duke e akuzuar se po mbështet protestat studentore kundër presidentit Aleksandar Vuçiç.
“Pa dyshim që është një sportist i madh, por është edhe tatimpagues i Monacos. Familja e tij është nga Kosova dhe ai bën pompa pas fitores. Fillimisht fshihet pas fëmijëve – gjë që është e shëmtuar – dhe pastaj mbështet ata që duan një Kosovë të pavarur”, deklaroi Mihajloviç.
Gjesti i Djokoviçit – simulimi i pompave pas fitoreve – është interpretuar si solidarizim me protestuesit në Serbi, të cilët kanë përdorur këtë simbol gjatë demonstratave të tyre që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Studentët dhe qytetarët kanë bllokuar rrugët dhe hekurudhat në Beograd dhe qytete të tjera, duke kërkuar zgjedhje të jashtëzakonshme, lirimin e të arrestuarve dhe largimin e kampit të ngritur nga Partia Përparimtare Serbe (SNS) pranë Presidencës.
Ndërkohë, Djokoviç nuk ka reaguar publikisht ndaj kritikave, ndërsa mediat në Serbi vijojnë ta ndërlidhin emrin e tij me zhvillimet politike dhe çështjen e Kosovës.